Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë ditën e djeshme ndryshime të rëndësishme në kabinetin qeveritar, duke ndryshuar gati gjysmën e ekipit të tij me të cilin nisi këtë mandat të ri në Shtator 2025.
Një ndër ndryshimet e bëra është vendosja e Ferit Hoxhës si Ministër i Punëve të jashtme në zëvendësim të Elisa Spiropalit, e me këtë rast është bërë një reagim nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Besnik Mustafaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Si koleg i hershëm, por edhe si ministër që e përfshiva në rrethin e afërt të bashkëpunëtorëve të mi duke i dhënë shtysën e parë të madhe karrierës së tij, i uroj përzemërsisht suksese Ferit Hoxhës.
Me këtë rast shpreh shpresën se një nga aktet e tij të para si ministër do të jetë revokimi i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, votuar së fundmi në Parlament, si një ligj që godet rëndë integritetin e trupës diplomatike të Republikës së Shqipërisë”, shprehet ai.



