Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka komentuar lëvizjen më të fundit politike të kolegut të tij, Ervin Salianji, duke e paralajmëruar se çdo përpjekje për të sfiduar Sali Berishën brenda partisë është e destinuar të dështojë.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Ndoja bëri një analizë të situatës së brendshme në PD, duke u ndalur te profili politik i Salianjit dhe te kauza që ai po përpiqet të ngrejë.
Ndoja nuk i kurseu rezervat për qëndrueshmërinë politike të Salianjit, duke kujtuar episodet e së shkuarës që, sipas tij, tregojnë luhatje të mëdha.
“Pas shfaqjes së tij publike nuk e kam takuar. E kam parë në pozicione të ndryshme: një herë me Bashën, një herë me shkop bejsbolli në dorë te selia e PD-së,” u shpreh Ndoja.
Ndonëse e cilësoi dënimin e Salianjit si politik, deputeti demokrat theksoi se kauza e re që ai po përdor shërben për të hequr vëmendjen nga problemet reale, „duke i bërë kështu një favor tërthorazi qeverisë“.
“Salianji do të vijë tek partia siç ka bërë edhe më parë. Si mund t’ia marrin PD-në Berishës? Sali Berisha është lider dhe i afron ata kur do. Ai e ka atë pushtet brenda partisë. PD nuk bie nga 530 mijë vota,” tha Ndoja.
Pavarësisht mbështetjes për Berishën, Ndoja pranoi se ka vend për analizë brenda PD-së, veçanërisht në raport me kandidatët e listave të hapura. Ai u shpreh dakord me Salianjin në pikën se këta kandidatë duhet të vlerësoheshin më shumë.
“Simbolikisht duheshin thirrur nga drejtuesit e PD-së për t’u falënderuar. Në Durrës kandidatët morën mbi 35 mijë vota, ndërsa shumë kandidatë të listës së hapur kanë marrë mbi 15 mijë vota vetë,” theksoi ai.
Lidhur me debatin për analizën e humbjes, Ndoja sqaroi se vonesa e analizës qendër për qendër nuk vjen nga mungesa e vullnetit, por nga problemet sistemike. Sipas tij, me kodin aktual dhe ndarjen territoriale, rezultati është i paracaktuar.
“Jemi përpjekur të faktojmë se zgjedhjet nuk ishin të drejta. Kjo që nga ndarja e territorit ku ne humbim katër mandate. Edhe Kodi Zgjedhor ka probleme. Në të njëjtat kushte, edhe po të hyjmë në zgjedhje të parakohshme, sërish humbasim,” përfundoi deputeti Ndoja.



