Dje në “Shqipëria Live” u rrëfye historia e Fatbardha Degës, ish drejtoreshës së Bankës së Shtetit në Tropojës që u burgos dhe humbi fëmijën pasi nuk iu dha ndihma mjekësore.
Në një lidhje direkte nga SHBA, Dega tregoi si e futën 32 vite më parë në burg në Bajram Curri ndërsa ishte shtatzënë, sepse ajo dhe bashkëshorti i saj ishin të angazhuar politikisht.
Sipas saj u fabrikuan prova që ajo të arrestohej për korrupsion në ‘92-shin, me dëshmi të rreme.
“Akuza ishte për arsye politike, pa fakte. Ishim akuzuar se kishim përgatitur një anti-miting për PD, që nuk qëndron. Kishim mbrojtur një udhëheqës të partisë në pushtet të Fatos Nanos. Bashkëshorti ishte drejtuesi i PS në atë kohë në zonë. Në zgjedhjet e marsit 1992, kur PD kishte ardhur në pushtet më morën 12 policë. Abortova fëmijën në qeli. Për 4 ditë më është mohuar e drejta e ndihmës mjekësore. Kur kam shkuar më në fund në spital kam luftuar me jetën. Por ata më çuan sërish në burg. Aborti ndodhi sepse kushtet ishin të atilla, por edhe trauma psikologjike.
Mora iniciativën pas 30 viteve ta nxjerr këtë dhimbje nga shpirti im. Unë ve gishtin te dega e PD e Bajram Currit deri te Sali Berisha. E fabrikuan këtë proces. E kam akuzuar që ditën e parë, deri në vdekje. Procesin e kam ringritur në shtetin ku jetoj, do ta bie aty kur të kem mundësinë. Kur ai person të jetë në birucë, ashtu siç e vuri një grua shtatëzanë pa të drejtë.
Gjithë farefisi ynë është hequr nga puna. Burri im në atë kohë e kishte mësuar nga të afërmit e Berishës që kishin thirrur plane për tu hakmarrë. Unë isha drejtoreshë, nuk isha me partinë, ai ishte me partinë. Ngaqë nuk donin ta godisnin drejtpërdrejt, përdorën manovrime. Qëndrova tre muaj në burg, 90 dëshmitarë janë pyetur, pavarësisht se ata ishin paguar për dëshmi të rreme, asnjë nuk pohoi se kisha marrë lekë nga banka. Dy anëtarë mbrojtën të drejtën, u vendos pafajësia ime. Nuk kishte akuzë me shifra por me përqindje” – rrëfeu ajo në “Shqipëria Live”.



