20.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Jam single dhe ja pse”: Shqiptarët tregojnë pse e kanë të vështirë të lidhen

    Në episodin e fundit të “The Dalina Show”, shqiptarë të ndryshëm ndanë historitë e tyre të beqarisë – jo për keqardhje, por për të treguar se pas statusit “single” fshihen histori të thella, emocione të forta, plagë ende të pambyllura dhe një përballje e vazhdueshme me veten dhe botën.

    Ja disa prej rrëfimeve:

    Linda

    “Jam single prej 11 vitesh. Kam një fëmijë. Lidhja me partnerin u mbyll sepse ishte tepër xheloz.”

    Pasi u martua me mblesëri – për shkak të rregullave tradicionale të familjes – Linda ndjeu që nuk ishte asnjëherë vërtet e përfshirë në atë lidhje.

    “Se di si i thashë ‘po’ atij njeriu. S’më ka pëlqyer që nga fillimi.”

    Por edhe tani, 11 vite më vonë, njohjet për të janë bërë një fushë e minuar. Të gjithë duken të interesuar vetëm për një gjë:

    “Çdo njeri që njoh e çon muhabetin te seksi. Edhe një fqinj, që më njihte me familje e të gjitha, pas 2 javësh njohje, e çoi muhabetin aty.”

    Përmes rrjeteve sociale, situata është edhe më e rëndë:

    “Çunat që më shkruajnë në Instagram vetëm ‘je super femër’ thonë. Unë vishem shumë serioze, por prapë më thonë: ‘Edhe me rroba dukesh që je super femër.’ Më është bërë kompleks. Gjithmonë më kanë parë nga gjoksi që në adoleshencë.”

    Linda nuk pranon më njohje që nisin me nxitim, pa lidhje emocionale.

    “Më bezdisin njerëzit që kërkojnë shumë shpejt seksin, pa u njohur as në nivelet më të vogla. Nuk mendoj se është njohje kjo.”

    Ajo është e vendosur të mos bëjë kompromise, por tregohet edhe e ndershme për vetminë që ndonjëherë e mbërthen:

    “Kam dy vite që s’dal më me asnjë. Jam kategorike për këto lloj marrëdhëniesh. Por në vetminë time, ndiej dëshirën për të pasur dikë në krah.”

    Brunilda

    “Ai u zhduk. Asnjë kontakt me djalin. Jetoj me tim bir prej tre vitesh në Itali.”

    Brunilda humbi nënën në vitin 2015. Aty nisi një lidhje që dukej premtuese – u fejua në 2016 dhe solli në jetë një djalë në 2019, ndërsa ndodhej e vetme në Perugia.

    “E pranova fëmijën e tij si timin. Prindërit e tij nuk më pranuan kurrë. Dhe më pas, një ditë… ai thjesht u zhduk.”

    Ajo nuk e di ende arsyen.

    “Marrëdhënia jonë ishte super e mirë deri në momentin kur u kthyem në Shqipëri. Nuk e di çfarë ndodhi që ndryshoi direkt. Djali më tha një ditë: ‘Më gjej një baba që nuk ikën.’”

    Edhe pse ka pasur gjithmonë pyetje, nuk ka marrë kurrë përgjigje.

    “Nuk është se dua rikthim. Por më ka lënë me një enigmë. Më duhet një ‘pse’.”

    Tani ajo fokusohet tek vetja dhe djali:

    “Ndihem shumë e plotësuar si grua dhe si nënë. Jam e hapur për një lidhje të re, por marr hapat më ngadalë tani. Dua të gjej veten time – adoleshencën time e humba duke u kujdesur për të tjerët.”

    Jetmira

    “Jam tradhtuar dy herë. Pas divorcit, 5 vite e vetme me vajzën.”

    Jetmira rrëfeu se është ndjerë e thyer si grua pas dy tradhtive, veçanërisht pas të parës – me personin me të cilin kishte fëmijën.

    “Krenaria si femër të bie. Pas divorcit, për vite me radhë, nuk kërkova askënd. Prioritet ishte vajza.”

    Tani ajo ka mësuar të lexojë “flamujt e kuq” që në fillim. Dhe është skeptike ndaj lidhjeve të reja.

    “Të dy kanë qenë të huaj. S’kam dashur partner shqiptar sepse janë ende shumë patriarkalë. Këtu në Belgjikë, njerëzit janë të ftohtë. Duke iu përshtatur, jam bërë dhe unë pak e tillë.”

    Presioni familjar dhe paragjykimet kanë qenë të forta:

    “M’u desh të mbaja divorcin të fshehur për një kohë nga prindërit.”

    Por ajo tashmë është një version më i fortë i vetes.

    Andi

    “Gocat s’duan djem të thjeshtë.”

    Në një rrëfim ndryshe nga të tjerët, Andi ndau zhgënjimin e tij si burrë beqar, në të 30-at. Ai punon në një kompani ku janë vetëm meshkuj dhe… të gjithë beqarë.

    “Gocat sot duan vetëm djem me kompani, makina, lekë. Mua s’më kanë ngelur nerva të vrapoj pas dikujt.”

    Me një jetë që shkon nga puna te shtëpia dhe lokali i lagjes, Andi pranon se është në një fazë reflektimi:

    “Ndoshta është mosha, ndoshta frika. Dua një lidhje stabël, por s’dua më lodhje. Mami më pyet: ‘Ke gjetur njeri?’ Po ku ta gjej i them?”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit