Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka bërë një deklaratë të fortë, kur ka deklaruar se prokurori i posaçëm Dritan Prençi është kërcënuar me jetë. Sipas tij, situata është shumë serioze dhe në dijeni janë vënë dhe selitë diplomatike në Tiranë.
I ftuar në emisionin “Task Force”, politikani demokrat ka treguar se veç kërcënimeve me jetë, prokurorit Dritan Prençi është bërë presion edhe nga kryeministri Edi Rama, përmes telefonit.
“Ka një informacion. Është shumë serioz dhe është bërë publik në nivele shumë të larta dhe në qarqe diplomatike. Është serioze situata. Flitet për kërcënime që ka marrë drejtpërdrejtë zoti Prençi nga kryeministri.
Në informacionin që kemi Prençit i është shtuar mbrojtja me 6 truproje. Ka mbrojtje ekstra. Ka 6 persona që I garantojnë sigurinë atij dhe familjarëve të tij. Flitet se është kërcënuar dhe në banesë”, është shprehur deputeti Belind Këlliçi.
Megjithatë, këto mbeten deklarime publike për të cilat nuk ka asnjë reagim nga Prokuroria e Posaçme dhe Garda e Republikës – si institucioni i ngarkuar me ligj për sigurinë e njerëzve të drejtësisë – ndaj mund të merren me rezerva edhe për shkak të zhvillimeve të fundit në SPAK.



