Kur vjen fjala te mikpritja, shqiptarët padyshim krenohen me këtë fakt. E duket se ky element është mbievidentuar në një tender të shpallur nga Spitali Rajonal i Durrësit që do të akomodojë dy menaxherë nga Turqia që do të vijnë për të punuar në këtë spital për për një periudhë 6 mujore.
Ajo që bie në sy në këtë tender është detajimi ekstrem i kritereve që duhet të ketë një hotel për të akomoduar mjekët.
Jastëkët duhet të kenë pupla. Dhoma duhet të ketë vaskë ndërsa muret dhe dyshemeja duhet të jenë të një cilësie të mirë.
Spitali Rajonal i Durrësit ka hapur një tender në vlerë 3.1 milionë lekë për shërbim akomodimin e 2 menaxherëve turq për një periudhë 6 mujore.
Ajo që të bën në përshtypje në këtë tender janë kërkesat për kushtet që duhet të plotësojnë garuesit. Përsa i përket dhomës kërkohet që shtretërit të jenë me dyshek me teknologji bashkëkohore dhe të mirëmbajtur.
Seti i çarçafëve duhet të jetë një cilësi të lartë. Mbulesat ose jorganët të jenë me pupla ose vatinë ose një material ekuivalent. Dhomat duhet të jenë me ajër të kondicionuar / sistem ngrohjeje dhe ftohjeje efektive.
Përsa i përket tualetit dhomat të jenë të pajisura me vaskë apo dush. Në tender specifikohet se “muret e tualeteve të jenë me material të papërshkueshëm nga uji që pastrohet lehtë (pllaka qeramike, rezinë etj.) dhe dyshemeja e tualetit të jetë me material kundër rrëshkitjes dhe të padepërtueshëm nga uji (pllaka qeramike, rezinë e të ngjashme etj)”.
Tërheqëse janë specifikimet e produkteve që kërkohen si në çdo tualet të ketë pasqyrë, mbajtëse peshqiri horizontale ose në formë grepi, aksesorë për mbajtjen e sendeve të tualetit, kosh mbeturinash, sapun i paketuar
Gjithashtu hoteli duhet të ofrojë ujë të pijshëm pa limit sipas kërkesave të personelit turk dhe shërbim 24 orë gjatë kësaj periudhe 6 mujore.