Aktori i humorit, Gaz Paja ka folur për statusin si “investitor strategjik” që ka marrë nga shteti shqiptar për të ndërtuar një resort luksoz në zonën e Dhërmiut. I ftuar në podkastin “Garage Lock”, ai ka zbuluar se banorët e Dhërmiut i janë “lutur” vetë që ai t’u merrte tokat për investim.
“Investitori strategjik ka të bëjë me një situatë që unë nuk i rashë në qafë shtetit si çdo qytetar i republikës. Mu dha mundësia që me disa banorë të Dhërmiut të gjeja disa toka, kërkova ndihmën e disa miqëve të mi privatë që t’i futeshim kësaj gjëje. Investitorin nuk e kam marrë unë por kompanitë që plotësonin kushtet që kishte vënë qeveria.
Jo më kot, në Tiranë sot paguan 8+1% taksën e shtetit çdo ndërtues për të klasifikuar se cili ndërtues është më i zoti. Pra nuk i kam bërë unë, por kam thënë kam një tokë, “do të vish ta marrësh?”, nëse ai merr 9 lekë, unë marr 1. Sepse nuk e kam mundësinë për të zhvilluar një ndërtim dhe as nuk e marr vesh. Thjesht u përpoqa nga dashamirësia e publikut në terren që më thanë ‘ty ta besojmë se je djalë i mirë, na gjej një ndërtues’. Kështu ka lindur historia!
Kur për këtë e ka të drejtën një qytetar i panjohur, pse mos ta kem unë? Kaq është kjo! Biles nga lajmet padrejtësisht jam penalizuar nga shteti, duke mu zvogëluar benefitet që pretendoja. E prapë them nuk më intereson. Letrat janë aty, të vijë kush të dojë dhe t’i kontrollojë dhe ta kuptojë se jam shumë i pastër në këtë aspekt”, tha ndër të tjera në fjalën e tij aktori.
Kompani e tij “Ecotech Energy Services” së bashku me kompaninë “Startek” do të investojnë në Dhërmi 13.8 milionë euro. Paja ka përfituar 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që ka fokusin turizmin elitar, tregon vendimi Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.
Në këtë hapësirë do ndërtohen vila dhe një hotel me 5 yje. Hoteli do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Pjesa tjetër prej 108 mijë metrash do përdorët për të ndërtuar vilat të cilat do të shiten nga kompanitë dhe nuk sjellin asnjë zhvillim publik për turizmin.



