22.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Jemi më të varfërit, por çmimet e apartamenteve në Shqipëri në 2022 u rritën 2,5 herë më shumë se në shtetet e BE

    Çmimet e apartamenteve në Shqipëri për 3-mujorin e tretë të 2022 janë rritur rreth 2,5 herë më shumë se çmimet e banesave në shtetet e eurozonës dhe BE-së.

    Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë indeksi i çmimeve të apartamenteve në 3-mujorin e tretë ishte 17,6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021. Çmimet e banesave gjatë vitit 2022 janë rritur me ritme tre herë më të larta se mesatarja historike.

    Rritja është e shpejtë jo vetëm në raport me periudhat e kaluara, por edhe me shtetet e tjera. Në shtetet e eurozonës sipas të dhënave të EUROSTAT çmimet e apartamenteve, të matura nga Indeksi i Çmimeve të Banesave, në 3-mujorin e tretë të 2022, u rritën me 6,8% dhe me 7,4% në BE krahasuar me të njëjtin 3-mujor të një viti më parë. Rritja e çmimeve në Shqipëri krahasuar me ndryshimet në shtetet e eurozonës dhe vendet e BE-së është 2,5 herë më e lartë.

    Të dhënat e Eurostat tregojnë se tendenca e çmimeve të banesave në Bashkimin Europian paraqet diferenca të mëdha mes vendeve të ndryshme, por vetëm tre vende anëtare kanë një rritje të çmimeve të shtëpive më të lartë se Shqipëria. Norma më e lartë e rritjes regjistrohet në Estoni, me 24.2% dhe më tej vijon Hungaria, me 21%, Lituania me 19.3%. Të gjitha vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian kanë një normë rritje më të ulët, duke filluar nga Çekia me 16.6%, deri tek Suedia, me vetëm 1.1%. Ndërkohë, Danimarka është i vetmi vend i BE-së ku çmimet e banesave rezultojnë në rënie, me 2.4%.

    Në disa vende, ecuria e çmimeve të banesave është e ndikuar edhe nga inflacionit shumë i lartë. Për shembull, në Turqi (një nga vendet jo anëtare të BE-së që Eurostat raporton statistika) rritja vjetore e çmimeve të banesave arriti në 189% në tremujorin III 2022. Kjo rritje duket më shumë e lidhur me nivelin shumë të lartë të inflacionit (që arriti një rekord prej 85.5% në tetor 2022), se sa me dinamikat e tregut të pronave në vetvete.

    Nëse shohim tendencat e ndryshimit së çmimeve gjatë vitit të kaluar, vërehet se norma mesatare e rritjes në BE është në ngadalësim të dukshëm. Në tremujorin I rritja ishte 10.4%, në tremujorin II ajo zbriti në 9.8%, ndërsa në të tretin rënia ishte edhe më e dukshme, në 7.4%. Ngadalësimi i rritjes së çmimeve duket një rrjedhë logjike e rritjes së inflacionit dhe normave të interesit, që ka shtrenjtuar kreditë bankare dhe ka ndikuar negativisht kërkesën.

    Për Shqipërinë, kjo tendencë është krejt e kundërt. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin I 2022 ndryshimi vjetor i indeksit ishte 10.9%, në tremujorin II rritja arriti në 15.3%, ndërsa në të tretin u rrit më tej në 17.6%.

    Çmimet dhe ndikimi i amnistisë

    Për 2022 çmimet e pronave brenda vijës së verdhë të ndërtimit në kryeqytet u shitën me çmim mbi 1,000 euro për metër katror sipas agjencive imobilare. Ndërtuesit pohuan se niveli i lartë erdhi nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kërkesës së lartë.

    Por miratimi i mundshëm i ligjit të amnistisë fiskale pritet të nxisë edhe më tepër rritjen e kërkesës për pronat e shtrenjta. Ekspertët e tregut thonë se në këtë situatë ndërtuesit nuk do të hezitojnë të rrisin çmimet edhe për këtë vit.

    “Zbatimi i amnistisë fiskale do të sillte rritje të kërkesës dhe të çmimeve. Nëse do të kalojë miratimi i amnistisë në 2023, ata që kanë para informale do të nxitojnë t’i investojnë në ndërtim. Për këtë arsye çmimet do të ngelen në nivele të lartë. Në rast të kundërt flluska e ndërtimit do të çfryhet dhe çmimet e pronave do të bien, pasi ajo pjesë e blerësve që paguajnë me cash do të tërhiqen”, pohon për Monitor Ylli Sula drejtuesi i indeksit Keydata.

    Jonian Antoni CEO i kompanisë real state “Century 21 Albania” parashikon stanjacion të çmimeve për 2023, pasi çmimet e larta të apartamenteve vitin paraaradhës ndikuan te rënia e kërkesës.

    “Mendoj se tregu shqiptar i pronave dhe sidomos Tirana nuk do të ketë ulje të çmimeve. Ndoshta do të ketë frenim të kërkesës, ndoshta një reflektim të çmimeve, dhe sidomos një pozicionim të tyre duke mos u ngritur më për disa vite, por nuk besoj se në Shqipëri do të ketë ndonjë rënie të çmimit të pronave”.

    Sipas një vëzhgimi të Monitor në muajin shtator 2022 çmimet e apartamenteve ishin rritur rreth 40% më shumë se viti 2021. Rritja më e fortë e çmimeve ishte në zonat, si: ish Blloku, ku çmimi maksimal nga 3,500 euro arriti në 5,000 euro për metër katror, Komuna e Parisit ku apartamentet nga 1,700 euro arritën në 2,200 euro për metër katror. Ndërsa çmimet e apartamenteve në kullën pranë Sahatit dhe Rainbow Center te ish Blloku u shitën 5,000 euro për metër katror.

    Pas pandemisë, çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë rritur me ritme shumë të shpejta. Ndër faktorët kryesorë, ekspertët rendisin rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike pas pandemisë, normat e ulëta të interesit dhe ofertën e lartë të kredisë bankare, kërkesën në rritje nga blerësit e huaj ose shqiptarët jorezidentë, por në një masë të madhe edhe pastrimin e parave që burojnë prej aktiviteteve të jashtëligjshme.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit