Çmimet mesatare, me të cilat është blerë energjia elektrike nga importi gjatë vitit 2021 janë disa herë më të larta se çmimet mesatare në bursë.
Raporti i Entit Rregullator të Energjisë, që është siguruar nga TV SCAN, paraqet çmimet mesatare të bursës hungareze, që shërben si referencë për blerjet në Shqipëri.
Ndërkohë që nëse këto të dhëna krahasohen me shifrat zyrtare të raportuara nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, që është një nga kompanitë e OSHEE Group e që administronte blerjet e energjisë vitin e kaluar, rezulton se diferenca është e madhe.
Shifrat i përkasin muajve qershor-dhjetor, periudhë në të cilën janë kryer dhe importet e energjisë në vendin tonë për vitin 2021.
Kështu, sipas ERE-s, nga të dhënat e raportit vjetor të Bursës së Energjisë së Hungarisë, çmimi mesatar i tregut të ditës në avancë të energjisë elektrike në profilin bandë për periudhën korrik – dhjetor 2021 ka rezultuar 166.35 Euro/MWh.
Ndërkohë që, sipas shifrave të raportuara nga OSHEE dhe të përpunuara nga TV SCAN, çmimi mesatar me të cilin është blerë energjia për të njëjtën periudhë është 211.26 euro/MWh apo 44.91 euro/MWh më shtrenjtë.
Diferenca më e madhe vërehet në muajt tetor dhe nëntor, kur edhe sasitë e importuara të energjisë janë më të mëdha. Më konkretisht, për muajin tetor çmimi mesatar në bursë rezultoi 215.87 euro/MWh, teksa OSHEE e bleu me një çmim mesatar prej 278.94 euro MWh apo 81.34 euro/MWh më shtrenjtë.
Ndërkohë që, në muaji nëntor diferenca është 79.17 euro/MWh. Përjashtim përbën vetëm muaji dhjetor, pasi energjia e importuar ka kushtuar 5.33 euro/MWh më lirë se çmimi mesatar në bursë.
Ky muaj ka një specifikë, pasi blerjet e energjisë pas datës 22 dhjetor 2021 i kaluan për “administrim” Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, si një prej masave të marra nga qeveria në kushtet e krizës energjetike të shpallur në muajin tetor. Në total, për vitin 2021 nga paratë publike u shpenzuan në total 285.5 mln euro.