-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Jeta e varfër mes gurëve të çmuar. Valmira, vajza që punon me firmat e luksit në Tiranë

    Entela Resuli

    Sot mban në dorë një grusht gurësh të çmuar, por historia e jetës së Valmirës nuk ka qenë me kaq shkëlqim.

    Valmira Isufaj punon në një punishte pranë rrugës së Barrikadave, ku ngjit, qëndis dhe realizon aksesorë të ndryshëm për këpucë, çanta apo veshje të firmave të rëndësishme të modës në botë. Të gjitha firma luksi, ku një çantë mund të kushtoi edhe 15 mijë euro, një palë këpucë po ashtu.

    Valmira dhe mikeshat e saj janë trajnuar për të punuar pjesë të ndryshme të këtyre produkteve, për të cilat përgjegjësia është e madhe dhe kujdesi duhet të jetë i lartë.

    Vajza me duar të arta që kemi përball, nënë e dy fëmijëve, për të cilën peripecitë nuk i kanë munguar në jetë është personazhi ynë për sot.

    E lindur në Tropojë, kur Valmira ishte fëmijë, familja e saj  u zhvendos në Kamzë dhe siç ndodh në përgjithësi, përtej vështirësive, ka qenë një ndër periudhat më të bukura të jetës së saj.

    Më pas, kur ishte vetëm 18 vjeç njohu djalin më të cilin vendosi të kalojë jetën, duke u kurorëzuar në martesë një vit më vonë.

    Krijimi i familjes ishte dhe fillimi i sfidave. Ardhja në jetë e vajzës kur ishte shumë e re i rriti përgjegjësitë e saj për të filluar një punë dhe për ta fuqizuar edhe më tepër ekonominë e familjes.

    “Si natyrë kam shumë iniciativë dhe asnjë pune nuk i them “jo”. Fillova të punoja në një restorant i cili kryesisht organizonte dasma dhe festa të mëdha. Kjo eksperiencë më ndihmoi shumë, jo vetëm të shkathtësohesha në këtë lloj fushe, por edhe të kuptoja dhe mësoja se çfarë mund të bëja në të ardhmen, që mos të vazhdoja të isha një punëtore e thjeshtë, por të kaloja në stadin e sipërmarrëses”-tregon Valmira.

    Rrëshqitja që mori përpara gjithçka

    Duke diskutuar me bashkëshortin, në vitin 2011 ata vendosën që të ndërtonin një fermë për të rritur dhe mbarështuar bagëti. Kështu, në fshatin e bashkëshortit të saj, pranë Kukësit, ata ndërtuan një fermë me 150 krerë dele.

    Si fillim gjithçka po ecte shumë mirë, shifrat ishin optimiste, po ashtu edhe pritshmëritë. Puna si organizatore e dasmave në një restorant, mundësonte sigurimin e tregut për mishin që do të merrej nga bagëtitë e saj.

    Sapo ajo nisi të besojë se ishte një sipërmarrëse e vërtetë, befas, gjithçka u shemb, në kuptimin e parë të fjalës. Një rrëshqitje dherash fundosi fermën dhe dëmi i shkaktuar ishte kolosal. Nga tërë ai mund e gjë e gjallë, asgjë nuk mbeti. Duke qenë se ferma ishte ende në proces regjistrimi, ajo dhe bashkëshorti i saj nuk përfituan asnjë dëmshpërblim nga shteti.

    “Ishte faji jonë sepse ne i vonuam dokumentet dhe as nuk e kishim siguruar fermën, asgjë, madje as nuk e kishim regjistruar. Kjo na penalizoi dhe na la pa asgjë, në mes të katër rrugëve, me miliona lekë borxh.

    Shifra që kishim marrë hua ishte tepër e lartë dhe me punët që filluam të bënim, nuk arrinim dot të mbanim veten dhe jo më të lanim borxhet”.

    Në 2013 kjo situatë e detyron Valmirën të marrë valixhet dhe të largohej familjarisht nga Shqipëria, me autobus, drejt Gjermanisë, në njërën anë për t’iu shmangur presionit të përditshëm të borxhdhënësve dhe në anën tjetër për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për t’i shlyer ato.

    “E kuptuam shumë mirë që në Shqipëri, do e kishim shumë të vështirë”, kujton ajo.

    Por Gjermania nuk i dha atë që prisnin çiftit. Ata nuk arritën dot ta fitonin statusin e azilantit. Makthi i kthimit pas tek problemet dhe hallet, i shtyu të largoheshin drejt Holandës. Kjo gjë i penalizoi edhe më tepër, duke marrë një dënim për të mos të shkelur në Gjermani për një periudhë pesë-vjeçare.

    Kthimi në Shqipëri ishte i dhimbshëm dhe i vështirë. Jo vetëm për atë çka e priste Valmirën, por edhe për faktin se papunësia dhe pamundësia për të përballuar jetën iu përplasën në fytyrë pamëshirë.

    Nga njëra anë borxhet dhe nga ana tjetër përpjekja për të filluar një rutinë normale: gjetja e një pune, shkolla e fëmijëve dhe të pasurit e një familje, mbi të gjitha të shëndetshme.

    Fëmijët janë pika e saj e dobët. Ajo ndihet në faj që vajzën e ka rritur para kohe. Edhe pse vajza është vetëm 11 vjeç, së bashku më vëllain shkojnë vetë në shkollë, madje bëjnë edhe punë shtëpie. Kur Valmira kthehet në shtëpi nga puna, e gjenë gjellën gati nga vajza.

    Mesa duket kanë kuptuar herët vështirësitë e prindërve të tyre, duke sakrifikuar në këtë formë edhe fëmijërinë.

    Ç’i sheh syri ja bën dora

    Por gjëja që i ka ndryshuar jetën dhe bën që të zgjohet çdo mëngjes më dëshirë, është puna. Materialet që ajo prek me dorë janë tepër të kushtueshëm, duke filluar që nga gurët e çmuar, perlat apo edhe të lëkurat të cilat kapin shifrat e mijëra eurove.

    Valmira nuk kishte punuar asnjëherë më parë në këtë profesion. Por dëshira për të mësuar dhe aftësia e shpejtë në të nxënë e bënë atë që sot të jetë një ndër punonjësit me të dalluara të kësaj punishteje.

    “Ne punojmë me materiale të cilat janë shumë të kushtueshme. Produkti final po ashtu është tepër i kushtueshëm. Unë vetëm i shoh se për të përdorur as nuk e ëndërroj. Ne punojmë me pjesë. Për shembull mund t’i vendosim rripin një çantë shumë të shtrenjtë. Punojmë shumë me detajet. Gurët e çmuar i ngjisim sipas udhëzimeve që na japin dhe ato vendosen ose në këpucë ose në çantë, varët. Materialet janë shumë të mira. Puna është me përgjegjësi, por unë ia kam marr dorën. Kam dëshirë të mësoj ndaj edhe këtë proces e përvetësova shpejt”– tregon Valmira.

    Bashkëshorti i saj punon herë në Tiranë edhe herë në Mal të Zi, duke u munduar të shlyejë huanë e marrë një dekadë më parë, dhe që i përkufizoi vitet më pas.

    Por Valmira, e mban kokën lart. Ajo çka të frymëzon te kjo grua është aftësia të mos rënë pre e dembelizmin dhe demoralizimit, prej situatave të krijuara. Ajo është dëshmi jetësore se asnjëherë nuk është vonë për të mësuar dhe asnjëherë nuk është vonë t’ia nisësh nga e para.

    Shumë nga produktet që ajo realizon, ka mundësi t’i preki, t’i shoh, por e ndjen të pamundur t’i këtë ndonjëherë në përdorim edhe pse është shumë e re. Kjo është jeta e një zonje, e cila e nis ditën me vrapin e mëngjesit drejt urbanit…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit