Policia e Shtetit është vënë në kërkim të dy motrave, të cilat dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta kanë dhunuar rëndë një 24 vjeçare duke i shkaktuar asaj plagë të dukshme në fytyrë.
Mariela dhe Antonela Berisha janë vënë në kërkim për plagosje të rëndë me dashje, pasi kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen Klea Prenga 24 vjeçe.
Është kjo e fundit që ka bërë denoncimin në polici dhe ka publikuar në rrjetet e saj sociale, foto disa momente pas sulmit.
Reagimi i Klea Prengës:
Të martën, rreth orës 21:30, teksa isha duke ngrënë qetësisht në një restorant në Tiranë, u përballa me një sulm të papritur dhe të dhunshëm. Dikush më goditi nga pas dhe më theu një gotë në fytyrë ndërsa po haja. Dëmtimet janë të rënda dhe kam shpëtuar për një qime. Tronditja e asaj nate është e paimagjinueshme.
Sulmi u krye nga Mariela Berisha dhe Antonela Berisha. As ato dhe askush tjetër nuk mund ta shkatërrojë fytyrën dhe imazhin tim. Më vjen keq për to, sepse e tyrja është e shkatërruar me kohë.
Nga anët tona as hasmi nuk goditet duke ngrënë. Po të ishe aq gangstere sa të duket vetja, do më kishe ardhur përballë. Sa për mesazhin kërcënues që ke dërguar pasi ke kryer sulmin.
Mua nuk ma prishin dot imazhin fundërrina si ju qe ju njeh e gjithë Shqipëria. Ti nuk ke familje vajzë e dashur që të të hyet në mes. Ti del e tregon përralla nëpër media për jetën tënde.
Femra xheloze si puna juaj meritojnë të izolohen në një spital mendor, sepse as sulmet e juaja të dhunshme nuk do të mundin të më shkatërrojnë mua apo jetën time. Femra si puna juaj janë mësuar me jetën e rrugës dhe aq kapacitet keni sa të arrini në veprime të tilla jo njerëzore.
Por mua nuk ma prishni dot identitetin dhe vlerat e mia sepse vij nga një familje me vlera dhe integritet dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë. Do jua çjerr maskën shumë shpejt. Regjistrimet e kamerave janë në dorën e shtetit dhe do të publikohen së shpejti.
Jam mirënjohëse që jam ende këtu dhe se nuk përfundoi më keq. Policia po heton ngjarjen, dhe shpresoj që drejtësia të vihet në vend. Ky sulm nuk do të më ndalojë; përkundrazi, do të më bëjë më të fortë dhe më të vendosur.



