Motra e aktorit Johnny Depp, Christi Dembrowski ka marrë pjesë në gjyqin që po zhvillohet mes aktorit dhe ish-bashkëshortes së tij.
Ndër të tjera në dëshminë e saj, ajo ka rrëfyer se së bashku me të vëllanë ishin abuzuar nga nëna e tyre, Betty Sue Palmer.
“Ne iknim dhe fshiheshim. Ajo na godiste dhe hidhte gjërat”, ka treguar Christi për nënën e saj.
Ndërsa, kur u pyet nëse Johnny u hakmor ndonjëherë kundër abuzimit, motra e tij tha: “Jo. Ai nuk shkoi kurrë në atë vend. Teksa u rritëm, si Johnny dhe unë në fakt, vendosëm që të largoheshim, pasi të kishim shtëpinë tonë dhe thamë se nuk do ta bënim kurrë, diçka të ngjashme me fëmijërinë tonë. Do ta bënim çdo gjë ndryshe”.
Kujtojmë që Johnny Depp, po përballet sërish në gjyq me ish-partneren e tij, Amber Heard, të cilën e akuzon për shpifje. Më konkretisht, bëhet fjalë për një shkrim për dhunën në familje, që ajo publikoi në vitin 2018 në të përditshmen Uashington Post.
Depp kërkon 50 milionë dollarë dëmshpërblim prej saj, për prishje të imazhit, pasi pretendon se në shkrim ka shpifur kur ka thënë se 58-vjeçari e dhunonte fizikisht gjatë martesës.