5 protestat e bëra nga qytetarët përballë selisë së qeverisë, kryeministri Edi Rama nuk i ka quajtur popullore, por ka akuzuar se pas grumbullimeve, qëndron Sali Berisha dhe LSI- me Monika Kryemadhi.
Ai ka vijuar duke i cilësuar protestat si turp, pasi thotë Shqipëria si një vend i NATO-s e që ka përkrahur në çdo moment Ukrainën, nuk duhet të dilte në shesh.
“Nuk ka asnjë popull në protesta në sheshe sot, po ka një turmë njerëzish të verbër që mendojnë po kaq mbrapsht sa fjalët e këtij komenti, e prandaj edhe ndjekin pas foltoren e fallxhoren, që hedhin gurin e fshehin dorën sepse e dinë që nuk dalin dot në krye të turmës laramane, pasi nuk i sheh dot me sy shumica dërrmuese e popullit!
Sa për shkuljen, maksimumi që mund të shkuli ajo turmë janë pemët, dritat dhe pllakat e bulevardit, se kane dhënë prova që këto i shkulin, po duhet të jesh vërtetë pa asnjë moral e arsye njerëzore, që të jesh një turme e tillë, e cila për turpin e këtij vendi, të këtij populli, të këtij kombi, bën sot protesta politike si në asnjë vend tjetër të NATO-s e të Europës, ku protestohet kundër luftës në Ukrainë”, shprehet kryeministri.
Ai ka komentuar edhe një prej mesazheve të qytetarëve, i cili i thotë se nuk mendon për qytetarët e vendit që si drejton.
“Se sa më shkon a nuk me shkon mua mendja për këtë popull as nuk ia vlen t’ia shpjegoj atyre që flasin me këtë gjuhe, po koha do ta tregoje vetë edhe për ata që nuk e kuptojnë se derisa hyj edhe këtu e marr e jap me ju, domethënë se më shkon aq shumë mendja sa as gjumi s’më zë kur ju flini, sepse kështu e kuptoj këtë detyrë që kam!
Ndërsa për rritjen e çmimeve këto ditë si duhet të ta shpjegoj që ka nisur një lufte dhe lufta këto ka, nuk ka as lule as ulje çmimesh, kurse qeveria ka muaj që paguan për faturën tënde të energjisë pikërisht që të mos e ndjeje familja jote dhe ka miratuar tërë atë Paketë Rezistencë Sociale dje që t’u vijë në ndihmë atyre më në nevojë! Sa për tregtarët, më vjen keq po kjo ka ndodhur në tërë botën sapo plasi lufta dhe nuk di asnjë vend që ta ketë frenuar dot”, shkruan Rama.
Ai ka prezantuar sërish paketën e Rezistëncës Sociale kundër pasojave ekonomike që do të sjellë lufta. Kjo paketë, për kryeministrin, është tregues që qeveria nuk i braktis ato që kanë nevojë në ditë të vështira.
“Masat e Paketës së Rezistencës Sociale, të cilat flasin vetë, edhe këtë herë, se kjo është qeveria që kurrë nuk i lë vetëm në ditët e vështira ata që kanë nevojë për mbrojtje, ju uroj një javë me më pak stres nga pasojat e padëshiruara të një lufte që as e nisëm, as e ndalim dot ne, por që do ta përballojmë patjetër me forcën e karakterit dhe të solidaritetit tonë me njëri-tjetrin”, shkruan Rama.