23.5 C
Tirana
E premte, 20 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ka një arsye psikologjike pse ju rrallëherë i pëlqeni fotot tuaja!

    Ngrini dorën nëse keni qenë ndonjëherë shumë të emocionaur për të parë një foto tuajën, thjesht për t’u zhgënjyer direkt pasi e shihni.

    Rrëmbeni telefonin gjithë qejf për të parë rezultatin dhe…blah. Fotoja është e neveritshme.

    Ose një foto që ju dukej e mirë, pasi e shihni për disa minuta, papritmas fillon “shëmtohet” dhe ju e fshini ose nuk e postoni fare në rrjete sociale.

    Nëse jeni ndjerë ndonjëherë në të njëjtën mënyrë, ngushëllohuni me faktin se nuk jeni të vetmit, madje psikologët nuk janë fare të befasuar nga ky fakt. Atëherë, pse ndodh dhe ç’do të thotë?

    Fillimisht, duhet të kuptoni: Ne nuk jemi gjykues objekivë!

    Në këtë fenomen ndikojnë disa gjëra. E para? Pritshmëritë tona për shkrepjen perfekte.

    Sa herë që vlerësojmë diçka – pavarësisht nëse është bukuria, shija etj – nuk bazohet kurrë në një vlerë absolute që ka ajo gjë. Kjo do të thotë se fotoja juaj nuk është objektivisht “e mirë” ose “e keqe”, apo nëse preferoni termin tjetër, “ia vlen të postohet” apo “nuk ia vlen të postohet”. Në vend të kësaj, vlerësimi ynë është gjithmonë relativ me pritshmëritë tona. Problemi është se pritshmëritë e larta nënkuptojnë zhgënjim dhe zhgënjimet ftojnë më shumë gjykim.

    Për më tepër, mos harroni se nëse jemi duke kërkuar për gjëra të këqija, atëherë do t’i gjejmë ato.

    Shumica prej nesh ka në fakt pritshmëri mjaft të larta për veten. Kështu, nëse presim që fotografia jonë të jetë më e mirë se mesatarja dhe marrim një foto mesatare, ka më shumë gjasa të zhgënjehemi. Është një foto e mirë, por ne prisnim të kishim një foto të mrekullueshme.

    Pak më shumë se tre të katërtat e kirurgëve plastikë thonë se pacientët e tyre kërkojnë procedura kozmetike profesionale për t’u dukur më mirë në selfiet që bëjnë.

    Puna është se ju keni më pak gjasa të kërkoni për ato të meta me kalimin e kohës, sepse më vonë, thjesht nuk do t’ju interesojë më. Ajo foto tashmë është bërë dhe ju keni vazhduar jetën.

    Merrni si shembull, fotot e gjimnazit apo 9-vjeçares. Kur i shihni, ndoshta rikujtoni kohën kur atëherë nuk ju pëlqente dhe aq shumë vetja e, megjithatë, ato foto ju japin ndjesi pozitive sepse ju kujtojnë me nostalgji për kohën ne shkuar dhe kujtimet me miqtë e klasës.

    A e dini se njerëzit kanë më shumë gjasa të lënë një review (përshtypje) të keqe për një restorant, nëse atë ditë binte shi? Studimet tregojnë se gjendja jonë e humorit, ndikon edhe në mënyrën se si e perceptojmë veten. Pra, një humor i keq mund të kontribuojë në perceptimin më të lartë të papërsosmërive.

    Fotoja është një kujtim i mbetur në vend përgjithmonë dhe ndërsa gjatë ditës jemi në lëvizje, në një foto ku e shohim veten të palëvizshëm, kemi gjithë mundësitë për t’i gjetur vetes defekte apo gjëra që nuk shkojnë.

    Mosha

    Përpara se të filloni të përpiqeni t’i gjeni me patjetër diçka që nuk shkon fotos suaj, mendoni se në atë moment jeni më të rinj sesa do të jeni ndonjëherë. Pas disa vitesh, do ktheni kohën pas dhe do mendoni: “Zot, për çfarë dreqin po ankohesha?!”

    Sigurisht, është e natyrshme të duam të përmirësojmë veten. Por gjatë këtij procesi përmirësimi e ndryshimi, le ta duam dhe ta vlerësojmë atë, ashtu siç është, me defektet që ia shihni vetëm ju vetes dhe me çdo detaj tjetër, që ju bën ajo që jeni!

    Përshtatur nga Aenne Brielmann, Ph.D, psikologe për In Style

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit