11.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kam frikë për vajzat e mia!

    Nga Lediana Zace

    Nisa të lexoj për ngjarjen tragjike të aktorit shqiptar i cili pasi kishte hedhur të shoqen 28 vjeçare shtatzënë nga ballkoni, më pas ishte vetëvrarë. Dhe duke kërkuar arsyen, që nuk gjendej në asnjë rresht të atyre detajeve të përsëritura por të pakta, nisa të mendoj.

    “Burri dukej herë-herë i zemëruar, ndërsa gruaja ishte e qetë”, – mësohet të jetë shprehur një fqinj amerikan i tyre, pas ngjarjes.

    Ah, tipik çift shqiptar mendova!

    Po, po! Kështu janë shumë çifte shqiptare në përgjithësi. Burrat janë gjithnjë të zemëruar (edhe për hiçgjë), ndërsa gratë janë të ‘qeta’, derisa nga zemërimi i këtyre burrave t’u merret jeta!!

    Në facebook të shumta ishin mesazhet ngushëlluese nga miqtë, të cilët të prekur nga humbja e mikut apo të të njohurit të tyre, i dedikonin disa fjalë. Por pothuajse inekzistente qenë rastet kur përmendej gruaja e Tij.

    Ajo, ajo e qeta. Ajo nëna e dy fëmijëve të vegjël të cilëve goja s’do ju thotë më: Mama! Mamanë e shtyu babi, larg, lart ne qiell.

    Ajo nëna që po mbarte brenda barkut të saj të butë e të ngrohtë engjëllin e tretë që do të vinte në jetë, mbase me shpresën për t’ia hequr zemërimin babait. Zemërimin e shqiptarit, se do të lindte në vendin e mundësive, Amerikë!

    Do të bëheshin një familje e madhe!

    Disa shkruajnë se Florindi vuante nga depresioni dhe shëndeti mendor. Dhe të gjykosh njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor na bën të palogjikshëm e të pazemër. Por, ndonjëherë mendoj se është justifikimi më i kollajtë dhe më i gjetur për të fshehur nuk di sa e sa krime, pastaj mendoj dhe bindshëm që depresioni na prek sado pak të gjithëve, por edhe shëndeti mendor të cilin askush nga ne, s’do ta kishte të lehte ta pranonte, në mos ta kuptonte.

    Unë nuk e njoh Florindin, thonë se ishte një djalë shumë i mirë, artist. Fundja dhe artistët njerëz janë dhe mund të të vrasin. Më vjen keq për të dhe pse nuk arrij jo, nuk arrij dot ta shfajësoj qoftë dhe me problemin e shëndetit mendor.

    Nuk mundem! Nuk mundem sepse mbrëmë poshtë ballkonit tim, dëgjova të qarat e një vajze, tek e kapte prej mjekre një mjekërcjap, një barkthare, një turiderr. E dëgjova, tek e kërcënonte se do ta shtynte përpara ndonjë makine, e se si do u thoshte njerëzve qe i doli makinës para e u hodh vetë se ishte me depresion.

    Nuk mundem, se janë histori të shumta, dhe s’po besoj dot asnjërën. Histori që përsëriten dhe gjithnjë i njëjti justifikim: Depresioni!

    Depresioni të bën të vrasësh veten jo tjetrin!

    Zoti më faltë nëse nuk gjykoj kthjellët por me rrëmbim, por shpirti më del vendit tek pyes veten se në dorë të kujt do të bien vajzat e mia nesër?

     

    Do të fle gjumë me frikë, me makthe, pa e njohur atë djalin e botës që do të fle me vajzën time, me të voglën time, atë të cilën do e lëshoj që të krijojë folenë e vet, e do të jem me zemrën e ngrirë, nga frika qe është futur thellë në jetën tonë të pasigurt të panjohur e të tmerrshme prej kësisoj ngjarjesh më shumë se të trishta. Nga frika se nuk të mjafton kurrë koha t’i njohësh njerëzit sesi janë në të vërtetë apo sesi mund të ndryshojnë nga dita në ditë, në disa vite, a disa net!

    Nëna, rritini djemtë e butë. Jo për ne nënat e vajzave, por për djemtë tuaj. Nuk do shkatërrojnë vetëm jetët e atyre qe do kenë pranë por edhe të vetat.

    Nëna, nuk dua të them se faji është i juaji, se jam nënë vetë dhe e di që asnjë nënë nuk do që fëmija i saj të thyejë qoftë një gotë e jo zemra rrugëve të jetë.

    Baballarë, bëni detyrën tuaj si prindër e qëndrojuni pranë djemve tuaj kur janë duke u rritur, kur janë duke formuar karakterin e tyre, kushtojuni kohë dhe mësojuni se nuk është trimëri të bësh ‘gangon’ e të fortin as me shokun, e jo më me femrën!

    Mijëra mendime të frikshme të natës që pasoi kjo tragjedi, më lanë pa gjumë! Tek imagjinoja dy engjëjt e vegjël, të vetëm, të pambrojtur, të traumatizuar. Asnjë i afërm e asnjë i largët nuk ua zëvendëson dot kraharorin e nenës, as zërin e babait. Do rriten në mëshirë, duke ndjerë gjithë jetën atë historinë e errët që la pas mënyra sesi ikën prindërit njeri pas tjetrit, në një sekondë të vetëm.

    Ornela nuk është as e para as e fundit viktimë e dramave të tilla.

    Ka patur histori si Ornela, e gjithnjë dhembin njësoj, e sërish trembin njësoj kur mendon se ‘kush do jetë Ornela e ardhshme’?

    Kush do jetë viktima e radhës e ‘depresionit’ mashkullor?

    Ornelat, engjëjt e pafajshëm që zgjedhin t’u qëndrojnë pranë atyre burrave të cilët ‘nesër mund t’i vrasin’, edhe kur shfaqin simptoma skizofrenesh; edhe kur iu zmadhohen bebet e syve se nuk kontrollojnë dot veten, dhe jo nga gjaknxehtësia jo, nuk është gjaknxehtësi shqiptari, është dell prepotenti, arroganti, injoranti e shumë tjerash, por Ornelat qëndrojnë! Qëndrojnë për dashuri, qëndrojnë se duan pa kushte, ne shumë raste qëndrojnë se nuk kanë ku shkojnë, qëndrojnë se nuk duan t’i braktisin!

    Për një gazetë amerikane një tjetër dëshmitar, thoshte se një valixhe ishte në shkallet ku ishte nxehur debati.

    Për ku po shkonte Ornela? Ai ishte çasti kur Ornela do të merrte arratinë se nuk po mundej dot më? Ne atë moment i humbi durimi?

    Pra, Ornela mund të jetë shtyrë edhe për një fjalë goje, për një kthim fjale, sepse vajzat si Ornela dhe kur marrin guximin të rebelohen e të marrin në dorë jetën e tyre, ua u marrin jetën!

    Për Ornelen, e cila e mori me vete të tërë të vërtetën dhe la pas hije dyshimi, qoftë trillimesh, idesh e hamendësimesh si këto të tonat, nuk shkroi askush nga miqtë e Florindit. Miqtë ishin tepër të zënë duke u përpjekur të shfajësonin Florindin e ta nxirrnin shenjtë e gruan mundësisht ‘fajtore’ edhe pas vdekjes sepse mentaliteti brutal ordiner shqiptar ja do zakoni të shfajësojë vrasësin dhe të dënojë viktimën, sepse ‘S’të vret njeri kot’!

    Ornelë, kur zemra më rrihte fort e gjaku më ziente tek lexoja për ty, engjëllin në barkun tënd dhe dy engjëjt qe mbetën vetëm, nuk munda të rrija pa shkruar. Nuk munda, sepse më dhembi e gjithë kjo histori, si dhe shume te tjera në këto kohë të errëta që po jetojmë!

    Frika ma ndali frymëmarrjen. Paranoja ma ndali botën, mendimet mi vrisnin sekondat e s’më linin të flija, kisha frike, kisha frikë për vajzat e mia!

    Në duar të kujt do bien nesër vajzat e sotme? Në duar qe do i shtrëngojnë fort të mos i lënë të bien? Apo në duar që do i shtyjnë në qiej?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit