Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Libohovë, Adil Xhelili, u kthye në një personazh mjaft të komentuar, për shkak se premtoi funeral falas nga Bashkia.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Xhelili shpjegoi nismën e tij dhe e lidhi me faktin se në Libohovë popullësia është mjaft e plakur dhe shërbimi funeral është shumë i kushtueshëm.
Ylli Rakipi: Jeni kthyer në personazh mjaft të komentuar për shkak të një premtimi për funeral falas në Libohovë. Pse të erdhi kjo ide?
Adil Xhelili: Do të doja mirëkuptimin e të gjithëve që kjo fjalë të mos quhet premtim, sepse këto janë çështje të përditshmërisë dhe jetës. Kjo mungon sepse shërbimet publike që duhet t’i ofrojë pushteti vendor, nuk i ka ofruar deri sot. Dua t’ju them se një funeral në Bashkinë e Libohovës kushton rreth 800 mijë lek të vjetra. Janë të ardhura të konsiderueshme. Bashkia e Libohovës duhet të jetë pro qytetarëve dhe në raste të tilla të jetë krahu i tyre dhe t’ua lehtësojë këtë barrë.
Ylli Rakipi: Sa banorë ka Libohova?
Adil Xhelili: 4500-4600 banorë.
Ylli Rakipi: Pjesë dërrmuese janë të vjetër?
Adil Xhelili: Në zonat rurale janë mosha të treta dhe shërbimet në këto zona janë të pakta.
Ylli Rakipi: Kjo duhet të jetë falas për të gjithë apo vetëm për persona që nuk ka kush ti varrosë?
Adil Xhelili: Janë shërbime që përfshijnë një gamë të gjerë, i kam paracaktuar edhe në program. Një ndihmesë në raste fatkeqësish është edhe kjo sepse bashkia i ka mundësitë.
Ylli Rakipi: Mos të kthehet në bumerang kjo dhe nuk të jep njeri votë, për gjëra që ndodhin pas vdekjes…?
Adil Xhelili: Bashkia duhet të ofrojë shërbimin që mos ta paguajnë këta njerëz.