Hetimi i kryer mbi kompaninë koncesionare Bankers për mashtrim fiskal, përfshirje në vjedhjen e rimbursimeve të TVSH-së me fatura false dhe pagesa për shërbime të pakryera, ka nxjerrë në dritë përfshirjen e kompanisë H2015 sh.p.k, në pronësi të ish-ministrit Besnik Mustafaj dhe të djalit të tij, Dardan Mustafaj.
Kompania H2015 sh.p.k, me aktivitet konsulencë, ka marrë nga Bankers 300,000 euro për shërbime fiktive, pagesa të cilat nuk shpjegojnë aktivitetin e kryer. Në regjistrat e punonjësve, kompania figuron vetëm me Dardan Mustafajn, i cili mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm. Ky skemë, sipas hetimit të Pamfletit, duket se funksionoi si kanal për të siguruar përfitime të paligjshme dhe qokë nga miliardat e Bankers.
Por aktiviteti i Dardan Mustafajt nuk përfundon këtu. Ai është pjesë e stafit të kompanisë koncesionare Terminali i Kontenierëve në Portin e Durrësit (grupi Kurum) si Drejtor Ligjor me pagë mujore 1.8 milionë lekë, dhe merr pagesa shtesë për përfaqësime ligjore në çështje gjyqësore, përfshirë arbitrazhin kundër shtetit shqiptar.
Përveç kësaj, ai punon si konsulent ligjor me kohë të plotë në Kurum (2.2 milionë lekë/muaj) dhe si Avokat në ELE TRADING Sh.p.k, kompani me seli në Kukës, me pagë mujore 1.5 milionë lekë. Ndërmarrja fokusohet në konsulencë për kompanitë e kromit.
Prej tetorit 2024, Dardan Mustafaj është gjithashtu Drejtor Ligjor në grupin GSA, që monopolizon blerjen e energjisë elektrike nga KESH dhe shitjen te OSHEE, përfaqësuar nga kompanitë GSA-Ferrokrom Burrel Sh.p.k, GSA Energy Sh.p.k dhe SAN Sh.p.k, duke kontrolluar importin dhe eksportin e energjisë dhe pajisjeve industriale.
Pozicioni i tij në sektorin publik është gjithashtu i lidhur ngushtë me pushtetin politik të familjes. Dardan Mustafaj ka shërbyer si këshilltar në Gjykatën Kushtetuese (mars 2009 – maj 2013) dhe si Shef Sektori te Avokati i Përgjithshëm i Shtetit (qershor 2013 – shkurt 2014). Së fundmi, PD e ka kandiduar për postin e Avokatit të Popullit, në kuadër të marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Ky rast tregon një model të qartë të përdorimit të pushtetit politik për përfitime private, ku paratë publike dhe kontratat koncesionare shndërrohen në përfitime personale për familjet e funksionarëve dhe rrjete monopoliste në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare./Pamfleti