Ervin Karamuço, deklaroi në emisionin Now në Euronews Albania se Irani kishte tentuar të vriste Donald Trump para se ai të zgjidhej president, në kuadër të një hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit Kasem Sulejmani, kreut të Gardës Revolucionare Islamike.
“Kemi të bëjmë me një obsesion personal politik të Trump ndaj Iranit.”-u shpreh Karamuço.
Ai shtoi se një agjent i Gardës Revolucionare Iraniane është arrestuar nën akuzën për organizimin e një atentati kundër Trump dhe ka rrëfyer se sulmi ishte planifikuar si pjesë e hakmarrjes për Sulejmanin.
Ndërkohë, Karamuço theksoi se për Izraelin problemi kryesor nuk është pasurimi i uraniumit nga Irani, por mbështetja financiare që ky i fundit i jep Hezbollait dhe Hamasit. Ai tha se ngërçi kryesor është përqendruar te centrali bërthamor i Fordow.
Sipas tij, një bombë me peshë 13.6 tonë, pjesë e arsenalit të përgatitur për sulm, ndodhet në një ishull në Oqeanin Indian.
“Janë gjashtë të tilla dhe kanë mbërritur shumë pranë Lindjes së Mesme. Pritet vetëm një avion për të realizuar bombardimin”-paralajmëroi Karamuço.