27.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Karrigia e gjimnazistit të Lezhës dhe karriget për baba Saliun

    Nga Edona Llukaçaj

    Rasti i pabukur i goditjes me karrige të mësueses së Matematikës, nga nxënësi i saj 16-vjeçar në një shkollë të Lezhës, e ndau shoqërinë në dy grupe: ata që nuk e justifikonin aspak sjelljen e nxënësit dhe ata që nuk e shfajësonin dot mësuesen.

    Shumë pretendonin se i riu kishte kohë që kishte filluar të shfaqte probleme. Plagosja e mësueses ishte veçse një tjetër moment shpërthimi i adoleshentit të pamenaxhueshëm, sjelljet e të cilit duhej të kishin marrë më shumë vëmendje me kohë. Ndërsa, të tjerët bënin përgjegjëse mësuesen për mënyrën e komunikimit dhe për përmendjen e çështjeve sensitive.

    Haptazi, asnjë lloj dhune nuk është e pranueshme, sidomos në institucione që presupozohet të simbolizojnë frymën e bashkëveprimit për zhvillim. Por më i papranueshëm është fakti se gjuajtja me karrige, pra përdorimi i karriges si armë e rastit, nuk rezultoi të ishte një lajthitje gjimnazistësh por një trend i denjë për parlament.

    Ditën e enjte, opozita zhvilloi një tjetër protestë të mangët në kreativitet. Deputë të frustruar dhe të përjashtuar bënë një farë kalaje me karriget e deputetëve të majtë tek foltorja e kuvendit. Si duket i pakënaqur se qëndrimi krah për krah në nderim të karrigeve pirg nuk po jepte efektin e pritur, një prej deputetëve protestues të opozitës hodhi një karrige në drejtim të një prej gardistëve.

    Duhet të jetë ndjerë i ofenduar, pasi gardisti në fjalë i mori nga duart tymnajën blu, ashtu si adoleshentin lezhian e kishte prekur thellë përmendja e eshtrave të babait. Si nxënësi që u hidhërua prej betimit të mësueses mbi të ikur në atë botë se do e ngelte, edhe deputeti adoleshtentesk duhet të jetë ndier i pashpresë dhe i humbur, pasi mazhoranca vijoi të miratonte e pashqetësuar ligje dhe ministrat të gajaseshin me grevën bajate.

    Por ndryshe nga lezhiani i preceduar e në arrest shtëpie, deputeti i ofenduar, falë Zotit, nuk qëlloi në shenjë. Prandaj kërkon ta nxjerrë dufin dyerve të gjykatave me akuzën-preteks se gardisti që prishi shfaqjen me tym blu kishte qenë i armatosur në sallën e Kuvendit. (Sigurisht, me prova të pakontestueshme, si ngahera.)

    E krejt ndryshe nga adoleshenti që, të paktën, karrigen e hodhi se iu përmenden eshtrat e të atit, deputeti luan luftrash me karrige për një baba politik të pakallur. Godet e bërtet për interesin e ngushtë të atij që forcën politike ia copëtoi aq rëndshëm sa edhe vetë deputeti në fjalë nuk e di se kë përfaqëson apo cilës çikë partie i përket.

    Shan e çirret për një njeri të vetëm e të padëshiruar, për një simbol të shuar. Për dikë që, përditë e më zëshëm, bën thirrje për “aksione të përshkallëzuara opozitare”, thirrje që drithërojnë këdo me pak kujtesë, por që, fatmirësisht, nuk ia vënë veshin as të vetët.

    Ndryshe nga 16-vjeçari lezhian që të shenjtë ka një baba të ikur tragjikisht, deputeti karrigehedhës do të shenjtërojë një baba kombi të paqenë. Dikë që refuzon të distancohet nga politika, pa konsumuar deri në palcë një forcë politike që dikur inspironte shumëkënd. Paçka se sa halle ka ky vend, e për sa shumë probleme mund të protestohet, opozitarizmi i këtyre deputetëve zgjohet të vjedhë karrige veç kur i prishet rehati kësaj figure.

    Vërtet, asnjë lloj dhune nuk mund të justifikohet. Por është më e thjeshtë të kuptosh pezmin e një jetimi 16-vjeçar të cilit i mungon figurë e babait sa atë të një deputeti zhurmëmadh të kapur pas tymit.

    Blu a jo, ç’rëndësi ka?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit