Prej dy javësh shqiptarët po e paguajnë çmimin e naftës vetëm në rritje dhe në mungesë të një reagimi qytetar, bordi i Çetit sa herë që mblidhet e ngre vazhdimisht atë.
Në historikun thellësisht klientelist të këtij bordi ka pasur një rast kur çmimi është rishikuar brenda ditës me rritje. Por, kur vjen puna për ta ulur atë, bordi i Çetit bëhet dembel.
Si rregull, bordi duhej të ishte mbledhur kur në tregjet ndërkombëtare nafta u ul. Por, bordi i Çetit mblidhet vetëm kur çmimi i karburanteve rritet në bursat ndërkombëtare dhe përgjatë të gjithë këtyre ditëve shqiptarët e blenë litrin e naftës te pikat e kontrolluara nga Shefqet Kastrati deri në 20 lek më shtrenjtë se te pikat jashtë kontrollit të kartelit të hidrokarbureve, siç e quan deputeti Erion Braçe.
Nëse merret konsumi mesatar ditor prej rreth 1500 tonësh në ditë, vetëm nga kjo diferencë në çmim, Çet Kastrati ka arkëtuar rreth 600 mln lek në ditë. Fitimi ditor i kompanive me këto çmime shkon në rreth 1 mld lek, ose rreth 1 mln euro. Çeti ka pjesën e luanit, pjesa tjetër ndahet me Gegën dhe çfarë ngel me më të vegjëlit, që gjithsesi nuk kanë grykësinë e këtyre dyve.
Deputeti socialist, Erion Braçe e ka cilësuar bordin si ligjërues të kartelit të karburanteve, duke treguar se në pikat e shitjes me pakicë që furnizohen të Kastrati e Gega, por që nuk janë nën kontrollin e tyre, çmimi është deri në 20 lek më lirë.
Që çmimi i naftës është rritur në tregjet globale këto ditë është fakt, por është gjithashtu fakt se rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare është reflektuar dyfish në Shqipëri në krahasim me vendet e rajonit.
Në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Serbi nafta është 30 deri në 50 lek për litër më lirë se në Shqipëri.
Kastrati dhe Gega prej vitesh zotërojnë bashkë pjesën dërrmuese të tregut, si të importit, ashtu edhe të shitjeve me pakicë në treg. Vetëm Kastrati zotëron 70 për qind të tregut me shumicë dhe 50 për qind të atij me pakicë.
Si Gega, ashtu edhe Kastrati justifikohen me rritjen e menjëhershme të çmimeve të karburanteve në rastet kur ka rritje në tregjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së parave për të mbushur depozitat plot. Kompanitë deklarojnë se kapacitetet e depozitave të tyre kanë nga 70 deri në 90 mijë tonë.
Mbushja e plotë e tyre kërkon mbi 100 mln dollarë, para që thonë se asnjëra nuk i ka dhe për këtë arsye operojnë në bursa ditore duke importuar 1 mijë deri në 2 mijë tonë karburante në ditë. Por, pyetja që ngrihet është se si ka mundësi që as Kastrati dhe as Gega nuk kanë mundësi financiare të mbushin depozitat e tyre, në një kohë që e para deklaron 12 mld lek fitim për vitin 2019 (ose rreth 100 mln euro) dhe e dyta 6 mld lek fitim (ose rreth 50 mln euro) po për vitin 2019?
Që arsyetimi i dy kompanive është i dyshimtë përforcohet edhe nga fakti që në 2019-n, policia shpalli në kërkim administratorin e Gega Oil, Paulin Gegën me akuzën e shmangies së taksave dhe pastrimin e parave, ndërsa Kastrati është akuzuar për pozitën dominuese në tenderat e furnizimit me karburant të institucioneve shtetërore, ku në 50 për qind të rasteve shpallet kjo kompani fituese.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër është cilësia e naftës. Në 2017-n, një investigim në kuadër të një projekti të financuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë zbuloi se cilësia e naftës që tregtohet nga Gega Oil dhe Kastrati ishte mjaft e ulët në krahasim me të njëjtin produkt në vendet e rajonit.
Investigimi zbuloi faktin se nafta në Shqipëri është krejtësisht jashtë standardeve me të cilat tregtohet në letër dhe në pjesën dërrmuese është gazoil i përzier me solar, apo vajguri dhe rafinimi i produktit nuk bëhet i plotë. Veç kostos dhe ndikimit që ka në amortizimin dhe shkatërrimin e automjeteve, kjo lloj nafte ka një kosto marramendëse edhe në mjedis, pasi çliron në ajër lëndë toksike kancerogjene.