9.5 C
Tirana
E premte, 28 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Katër gazetarë janë non grata” – Çipa: Mediat online në Greqi stigmatizojnë gazetarët shqiptarë që mbrojnë çështjen kombëtare

    Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, dha shembuj të tjerë përveç shpalljes së gazetarit Artan Hoxha  non grata nga autoritetet greke. Ai tha se tashmë janë katër gazetarë të padëshiruar nga Athina, ndërsa dha edhe përvojën e vet të hidhur me policinë kufitare në Greqi, si drejtues shoqate.

    Çipa përmendi portalet greke që janë në krye të fushatës për të kriminalizuar figurat e disa gazetarëve shqiptarë që merren me temat kombëtare në Shqipëri.

    “Janë katër raste gazetarësh: Marin Mema, Enrik Mehmeti, Aulon Kalaja dhe tani Artan Hoxha, që janë shpallur non grata.

    Nuk kemi një reagim zyrtar, sepse ka dhe një të vërtetë, që si procedurë shteti që të shpall person non grata nuk është se të jep shpjegim.

    Unë shkoj në Greqi, por i kam reduktuar daljet jashtë, sepse më bezdisin. Gjënë e parë që bëjnë, ku shkon, kë do takosh, ku do hash drekën, ku do flesh, me kë do takohesh. Dhe madje të thonë, shkruaj një çikë me shkrimin tënd, emrin e nënës dhe të babait tënd.

    Këto unë i kam deklaruar, këto janë hedhur edhe publikisht kur e kam pasur. Këto raste, nëse do të ndodhte që kryetari i shoqatës së gazetarëve të Greqisë të pyetej në mënyrë të tillë nga një punonjës i policisë kufitare apo i shërbimeve në Shqipëri, në Maqedoni, do të ishte një skandal i madh në Greqi.

    Ka dhe një fakt tjetër që nuk e dinë. Si ka mundësi që organizatat më të rëndësishme të gazetarëve në Greqi nuk kanë ndjeshmëri? Dhe them një të vërtetë, prej periudhës së viteve 1996 e këtej, shoqatat e gazetarëve të Greqisë i kanë reduktuar kontaktet zyrtare me organizatat homologe të Shqipërisë, kanë takime sporadike individuale kolegësh.

    Ka individë që vijnë, kanë ardhur në Institutin Shqiptar të Medias, në Këshillin Shqiptar të Medias, individë, por jo shoqatat e gazetarëve të Greqisë.

    Ne i kemi ftuar dhe ka ardhur vetëm Unioni i gazetarëve të Greqisë së Veriut dhe Maqedonisë, siç e quajnë ata, por nuk ka ardhur Athina, që është shoqata kombëtare.

    Dhe kjo është një gjë që në fakt çedon me një vend që ka pretendimin për të qenë në pararojë të përfshirjes së vendeve të rajonit Ballkan Perëndimor si anëtarë të BE-së.

    Në rastin e kolegut Hoxha, duhet të them dy gjëra që nuk janë thënë. Ka një tendencë për të inkriminuar raportin e gazetarit. Në rrjetet sociale të këtyre ditëve, ndër të tjera, thuhet Zoti Hoxha thotë është një qendër informacioni mes botës së krimit dhe politikanëve. Janë kryesisht mediat online, jo te media serioze.  Mediat serioze kanë mbajtur një qëndrim shumë të përmbajtur, por unë e di shumë mirë që mediat serioze në Greqi, kur ka raste të tilla, kanë një ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe mbajnë qëndrime.

    Do të them dhe një gjë tjetër që është vërtetë shqetësuese, që disa elementë të ekstremizmit grek kanë një ndikim tek veprimet zyrtare në pikat kufitare ndaj gazetarëve shqiptarë. Po të them diçka që është shumë serioze, ka rrjete domethënë online ose blogje ose të tjerë që merren enkas me gazetarët që çedojnë ose kritikojnë qëndrimet, raportet e greko-shqiptarësisë.

    Pra, në qoftë se ti do të shprehesh për një çështje, se thotë që në Himarë, unë shqiptar jam se po të isha grek, do të ma thoshin stërgjyshërit e mi, që ti greku i Himarës, Aleksandër, domethënë je grek. Po kur s’ma kanë thënë të parët e mi, do ma thonë ata që kanë ardhur pas nëntëdhjetës, që u bënë të tillë.

    Janë krijuar disa online të cilat stigmatizojnë këta njerëz që në fakt mbajnë një qëndrim natyral, siç e mbajnë edhe kolegët grekë andej për interesin e kombit të tyre, të shoqërisë së tyre dhe merren me këtë gjë. Dhe këto gjëra pastaj ushqejnë individë dhe segmente të caktuara të shërbimit të policisë kufitare apo edhe të shërbimeve”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit