12.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    “Kemi naftë dhe prodhojmë varfëri për popullin, e blejmë nga jashtë, tonën e marrin të tjerët, kjo është shitje e atdheut”

    Në shtator 2021, ish-zyrtari i FBI, Charles McGonigal, është nderur me medaljen “Mirënjohja e Tropojës”.

    Lajmi në atë kohë është bërë i ditur nga kryebashkiaku i Tropojës, Rexh Byberi në një postim në Facebook. Në fotot e këtij postimi shihet që ka qenë i pranishëm edhe Damian Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm i PS, si dhe Agron Nezaj që është përshkruar në dosjen amerikane si personi A.

    “Në këtë ceremoni shumë miqësore dhe të përzemërt morën pjesë përveç stafit tim dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Damian Gjiknuri dhe Ardian Çela. Zoti McGonigal shoqërohej si gjithmonë nga miku i tij, bashkëqytetari ynë i nderuar shqiptaro-amerikan Agron Nezaj’, shkruan Byberi në 23 shtator 2021.

    Sipas dokumentave të publikuara, ish-zyrtari i lartë i FBI që akuzohet për lidhje me një oligark rus të sanksionuar, ka patur aktivitet biznesi në Shqipëri që në 2007, përherë me të njëjtët emra që janë Agron Neza dhe Shefqet Dizdari, administrator i kompanisë,  Terraoil Swiss. Për këtë të fundit, janë publikuar emaile që e lidhin pikërisht me Gazpromin rus.

    Në mars 2018, kompania shtetërore e naftës Albpetrol mbajti një tender për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.

    Më 9 maj 2018, ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë Terraoil Swiss (në atë kohë Transoil Group) dhe një muaj më vonë, i kërkoi Albpetrolit që të bëjë kërkesë në Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore për pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit.

    Jo të gjithë pjesëmarrësit në tender ranë dakord me vendimin e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës dhe një prej tyre – kompania kanadeze Letho Resources Corp bëri padi në Gjykatën Administrative të Vlorës.

    Vendimi i Gjykatës Administrative të Vlorës, tregon se Terraoil nuk i përmbushte kushtet për t’u kualifikuar në garën për tre fushat e reja naftëmbajtëse dhe aq më pak për t’u shpallur fituese.

    Sipas gjykatës, kompania Terraoil Swiss sh.a me administrator avokatin Shefqet Dizdari, në aplikimin e saj në tender nuk ka dorëzuar dokumentet e kërkuara për kushtet teknike.

    Gjykata vëren gjithashtu se tenderi është mbajtur në mungesë transparence nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ndërkohë që Terraoil Swiss është shpallur fituese, edhe pse kishte një ofertë financiare “më pak të favorshme” se pala paditëse për njërin prej vendburimeve, atë Cakran-Mollaj.

    “Në vlerë monetare, oferta e “Letho” për palën shteti shqiptar është rreth 10 milionë dollarë më e mirë në krahasim me ofertën Terraoil Swiss (ish-Transoil Group sh.a),” shprehet Gjykata Administrative e Vlorës.

    A është favorizuar kjo kompani për shkak të lidhjeve mes ish-zyrtarit të FBI dhe Ramës? Gjiknuri i quan këto akuza “qesharake”. Sipas tij, akuzat kanë “qëllim që të sfumohet historia me 21 janarin dhe faktet e reja”.

    “Këto janë nga ato filmat thriller që vetëm në mendjen e Sali Berishës apo të tjerëve që i amplifikojnë mund të quhen të vërteta. Na del se një shqiptar lëviz interesat e të gjithë botës, apo kryeministri shqiptar na qenka korruptuesi më i madh i gjithë botës. Këto janë histori qesharake”, thotë ish-ministri.

    Por për Përparim Kabon, profesor, i angazhuar me shoqërinë civile ky është një skandal më vete. Ai bën një apel publik për naftën dhe pasuritë e vendit të dhëna thuajse tërërsisht me komcesione.

    Madje dhe kur Gjykata Administrative e Vlorës e shpall të parregullt juridikisht dhënien e një liçence koncensionare për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës, urdhëri ekzekutiv ministror abuzivisht, ua jep këtë të drejtë atyre që nuk iu takon?! Unë akuzoj këtë organizatë kriminale politike duke ju thënë hapur: Ju po shkatëroni pasuritë kombëtare dhe jeni grabitës direkt ose indirekt të saj !

    Kemi naftë dhe prodhojmë varfëri për popullin, kishim sistem të mbyllur për nxjerrjen dhe përpunimin e hidrokraburave dhe aktualisht nuk i kemi. Blejmë naftë jashtë për tregun e brendëshëm, dhe naftën e nëntokës sonë e kanë marrë të tjerët! Ju po shisni kështu atdheun dhe historinë e tij. Kjo lloj “historie” nuk shkon gjatë, nuk mund të shpopulloni Shqipërinë me orgjipolitikën tuaj“, – shkruan i zemëruar Kabo në një postim në rrjetet sociale.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit