Mimoza Selimi është një ndër këngëtaret e njohura shqiptare, që është shkëputur prej vitesh nga tregu muzikor. Ajo jeton tashmë në Zvicër.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Mimoza ka rrëfyer gjithçka, nga momenti që la Shqipërinë, paragjykimet që i bënin dhe deri te jetesa në Zvicër, ku u has me tre humbje tragjike në jetë, dy vëllezërit dhe babai.
“Unë mendoj që kam lindur kështu. Gjithmonë më kanë pyetur se kush është stilisti jot, por unë vishem vetë. Unë i kam veshur minifundet që në atë kohë, dhe më shihnin kur kam punuar në estradën e Tiranës. Unë i vishja por shumë klas, jo ekzagjëruar. Edhe më kritikonin, ndërkohë ato sot i veshin vetë.
Unë ika në një kohë kur karriera ime po fillonte, në kulmin e saj. Epo kështu ishin rrethanat, më detyruan. Më hoqën nga programi i mëngjesit sepse mora pjesë në një event të Partisë Demokratike.
Por ky ishte një pretekst, sepse unë nuk vija nga një familje e ngritur, nuk isha as dashnorja e filanit, më falni për fjalorin.
Mendonin se isha malësore, kur e merrnin vesh që isha Jugu, më thonin: ‘Ua po ti qenke e jona’.
Unë e kam vuajtur jashtë mase. Unë e them gjithmonë, që malok nuk të bën vendi nga vjen, por mendësia.
Unë u largova në Zvicër, kam kënduar gjatë gjithë kohës. Nuk kam bërë karrierë internacionale, por kam prezantuar. Gazetat këtu kanë shkruar për mua si ambasadore e artit në Shqipëri. Për disa vite, nuk kam dashur të këndoj, sepse kam humbur dy vëllezër dhe babain.
Edhe nuk mund ta merrja dot veten. Ndërsa tani dua të këndoj, pasi edhe ata do të donin që unë të jem e lumtur”, tregoi këngëtarja.