Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i bën thirrje shtetit shqiptar që të mbrojë gjyqtaren Irena Gjoka, duke ju referuar akuzave publike dhe nismave për shkarkimin dhe ndjekjen penale të saj, lidhur me mosdeklarimin e një dënimi në Greqi në vitin 2005.
Sqarimi i plotë i rrethanave juridike të çështjes, që bën Ylli Manjani:
Kam patur idenë, nisur edhe nga raportime gjithfarësh ne media (gabim i madh ky), se zonja Gjoka kërkonte letra greke. Por faktet e zbuluara edhe nga hetimi i Prokurorisë së Përgjithshme, tregojnë një gjë tjetër.
Me pak fjalë:
Zonja Gjoka si çdo qytetar tjetër ka dashur të kalojë krishtlindjet në Greqi në dhjetor të vitit 2002. Autoritetet kufitare greke nuk e kanë lejuar të hyjë me arsyetimin se viza kishte skaduar.
Një vit më vonë, zonja ka marrë një vizë të rregullt në konsullatën e Greqisë dhe ka tentuar të shkojë përsëri për krishtlindje atje.
Përsëri autoritetet Greke nuk e kanë lejuar të hyjë, pa ndonjë shpjegim bindës.
Kaq janë ngjarjet në dijeninë e zonjës Gjoka, e cila ka caktuar një shtetas grek të ndjekë në autoritetet e Athinës dhe të kundërshtojë ndalimin administrativ të hyrjes së saj në Greqi.
Ndërkohë, pa e ditur ajo, në gjykatën e Janinës zhvillohet një proçes, pa proçes, pa palë e madje edhe pa avokat kryesisht. Gjykata atje ka dhënë një vendim dënimi prej 3 muaj dhe gjobë me 1500 euro. Vendimi është i vitit 2005.
Për atë vendim zonja Gjoka nuk ka patur dijeni që ekziston deri në ditët e sotme. Në të vërtetë mosdijenia e saj provohet me faktin se ai vendim atje kurrë nuk hyri në fuqi. Madje sipas ligjit Grek vendime të tilla shpallen të paekzekutuara dhe pas 18 muajsh shuhen si të tilla, pa u regjistruar në regjistrin e dënimeve penale
Pra zonja Gjoka figuron e padënuar edhe në Greqi.
Duke mos patur dijeni, sigurisht ska patur as çfarë të deklarojë në formularët e vettingut. Ndalimi i hyrjes në 2002 dhe 2003 nuk ishte i detyrueshëm për deklarim sepse nuk ishte episod i 10 viteve të fundit, siç e kërkonte ligji.
Kjo është shkurtimisht ngjarja e provuar tashmë me fakte.
Tani në këto rrethana, KLGJ duhet ta mbrojë gjyqtaren nga një sulm i padrejtë që i ka bërë një shtet tjetër. Duhet ta bëjë jo thjesht për sovranitet, por për dinjitet.
KLGJ Duhet ta mbrojë gjyqtaren nga hakmarrja e turmës inatçore. Duhet ta mbrojë gjyqtaren nga inatet e palëve gjyqësore, të cilët në shenjë pakënaqësie për vendimet e saj gjuajnë me situata të tilla, krejt fatkeqe që u ndodhin shqiptarëve rregullisht në kufijtë e shteteve të tjera.
Ajo nuk ka kryer asnjë krim askund. Nuk është dënuar as në Shqipëri e as në Greqi.
Duke mbrojtur gjyqtaren nga një sulm i tillë, mbrohen shumë qytetarë të tjerë shqiptarë që Greqia dhe Italia i ka dënuar pa proçes e pa dijeni. Çdo shqiptar ka nevojë për mbrojtjen e shtetit të vet nga vendime abuzive. Rasti i Irena Gjokës është një arsye për të mbrojtur shqiptarët, jo për ti dënuar më tej ato.
Duke mbrojtur gjyqtaren mbrohet shteti, e drejta dhe një standard që ne po e kërkojmë edhe për qytetarët e thjeshtë. Nuk ka dënime të rregullta me proçese pas shpine, pa proçes dhe madje edhe pa avokat kryesisht.
Kjo nuk e bën aspak imune gjyqtaren Gjoka nga hetimet dhe inspektimet për vendimet që ajo jep.
Por historitë personale të së shkuarës, që ligjërisht janë parashkruar, janë dëshmi e gjallë se si ndaj nesh shtetet e tjera kanë abuzuar.
Një shtet normal e mbron shtetasin e vet, jo ta sulmojë. Greqia e mbron grekun, nuk e sulmon për llogari të shqiptarit….



