Deputetja dhe shkrimtarja Flutura Açka, ka reaguar sërish pas sulmeve të përsëritura nga këshilltari i Grupit Parlamentar të PD, Marash Logu, pas promovimit të librit të saj me kolegë demokratë e socialistë në Kuvend.
Logu ka ndarë dy fotografi që Açka ka realizuar me Taulant Ballën dhe Ermonela Felaj, dy kundërshtarë politikë që kanë zgjedhur të respektojnë librin, jo duke u kufizuar vetëm tek autorja.
“Në mbrëmjen e autografëve të librit tim “Para se të iki”, pa kamera, pa zhurme, pa krekoaje politike, kisha ftuar mes kolegëve parlamentarë edhe dy kundërshtarë politikë, ata me të cilët kam debatuar më fort se me të tjerët.
Madje, ata erdhën të respektojnë një libër që denoncon pushtetin e tyre, një gjë që e çmoj tej mase. Një gjë që duhet të shtynte ty ta promovoje librin, jo të kufizoje autoren, me të cilën je në betejë të përbashkët”, shkruan Flutura Açka.
Ajo thotë se të pranishëm gjatë promovimit të librit “Para se të iki” kanë qenë edhe kolegë të tjerë opozitarë, si: Bujar Leskaj, Merita Bakiu, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Emilia Koliqi, Selaudin Jakupllari, Andia Ulliri, etj.
“Edhe nëse iki, po iki te letërsia ime, që e lexojnë tash e 35 vjet me mijëra lexues. Që é lexon edhe ti, siç e di. Në mos ia dal të shkoj te letêrsia, do të shkoj te stacioni i fundit, por do të shkoj me nder, jo kërpudhë nën ferrë.
Lektisja jote e përsëritur mund të jetë personale, por sa kohë je ende këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së, lexohet institucionale. Pra, një këshilltar i deputetëve të PD-së sulmon një deputete të PD-së”, vijon politikania dhe shkrimtarja e njohur.
Përplasja e saj me Marash Logun ka nisur kur ky i fundit u përfshi në debat për të mbrojtur Gazment Bardhin, i cili sipas Flutura Açkës ka përçarë demokratët, duke luajtur me disa porta, herë si besnik i Bashës dhe herë si besnik i Berishës, por duke shitur kolegët.
Ndaj, në këtë reagim, Flutura Açka i bën thirrje Marash Logut që të kthehet te rruga e drejtë, te jeta e tij dhe ta jetë atë mirë, sepse në të kundërt një jetë me ligësi është shumë e gjatë.
“Këtë merre si këshillë miqësore. Ose, ose, ktheu dhe lexoje prapë “Birin” që të kishte prekur dhe magjepsur dikur. Nga leximi i atij libri, shpesh bij plangprishësa, janë bërë më të mirë. Harxhoje jetën për një vete të bukur! Është shumë e shkurtër për punë të mira dhe shumë e gjatë për ligësira”, përmbyll ajo.