25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Këta e kanë mendjen tek luksi – Një shembull nga Maqedonia

    Nga Adri Nurellari

    Ky është Air Tractor AT-802 Fire Boss në përdorim nga shteti maqedonas prej vitit 2010. Bëhet fjalë për, një avion zjarrfikës amfib që kombinon shpejtësinë, kapacitetin dhe efikasitetin për t’u përballur me zjarret më të mëdha në pyje dhe hapësira të hapura. Ai arrin më shpejt në zonën e emergjencës se një helikopter, duke fluturuar me mbi 350 kilometra në orë, ndërsa kushton disa herë më pak se helikopterët si në blerje, ashtu edhe në operim.

    Me një rreze të gjatë veprimi, Fire Boss mund të mbulojë distanca të mëdha pa pasur nevojë për furnizim (mbi 3 orë autonomi fluturimi), ndërsa aftësia për të marrë deri në 3,100 litra ujë nga liqene, lumenj apo det në më pak se 15 sekonda e bën jashtëzakonisht të shpejtë në ndërhyrje.

    Ky është mjeti perfekt për një vend të vogël me buxhet të kufizuar si Shqipëria. Mali i Zi ka katër. Maqedonia e Veriut ka tre. Sllovenia ka katër. Dhe ne? Zero. As edhe një.

    Një Fire Boss i ri kushton rreth 3.5 milionë euro që do të thotë se me lekët që u hodhën për “Parkun Eden” në oborrin e Kryeministrisë, të dizajnuar nga Chris Precht, mund ta kishim blerë një. Me 14 miliardë lekët që u shpenzuan për shndërrimin e Piramidës, mund të kishim blerë katër – aq sa fqinjët tanë. Por në vend të mjeteve për të shpëtuar jetë dhe pyje, u financua një ndërtesë plot kafene, bare, restorante, kompani sigurimesh e banka – sikur Tirana të mos ishte mbytur tashmë nga pallatet dhe kullat private.

    Kjo është diferenca mes të menduarit për luks dhe të menduarit për mbrojtjen e vendit. Fatkeqësisht, Shqipëria sot ka të parën, jo të dytën. Në vend të investimeve që mbrojnë trashëgiminë natyrore, jetën dhe pasurinë e qytetarëve, janë zgjedhur projektet për qejf dhe fasadë. Ky nuk është thjesht keqmenaxhim – është papërgjegjësi që i kushton vendit dhe qytetarëve çdo verë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit