Që sa nisi debati për kullën gjigande që po ngrihet në mes të Tiranës, prapa së cilës dyshohet se qendron Shkëlzen Berisha, i ati dhe më pas gjithë njerëzit mediatiko-politik që e ndjekin pas, përdorën veç një argument.
Ata thanë se po heshtin dhe nuk duan të merren me këtë skandal, pasi shfokusohen nga afera e inceneratorëve.
“Duan të na tërheqin në këtë debat, për të hequr vëmendjen nga skandali i inceneratorëve”, thonë të gjithë në një zë, pasi foli Sali Berisha.
Pra, sipas kësaj logjike absurd dhe idiote, kur opozita denoncon një grabitje dhe ndërkohë qeveria bën të tjera të ngjashme, për këto duhet heshtur, pasi shuhet interesi i publikut për vjedhjen e parë.
Me këtë lloj manipulimi dritëshkurtër, Berisha, jo vetëm nuk i fshiu dot akuzat se pas kullës në qendër të Tiranës qendron i biri, por i shtoi hijet rreth saj.
Se jo për gjë, por Berisha dhe ata që e ndjekin nga pas, në fakt nuk është se janë marrë me inceneratorët, por kanë denoncuar edhe “vjedhje” të tjera qeveritare gjatë këtyre muajve.
Vetëm për kullën e mbyllën gojën.
Dhe arsyeja nuk është ajo që thonë, se shfokusohet vëmendja nga çështja e inceneratorëve.
E vërteta është se kulla, kthen projektorët e vëmendjen pikërisht nga opozita dhe drejtuesit e saj, me Sali Berishën në krye, që ditën bën sikur denoncon skandalet e qeverisë dhe natën i biri bën pazare për ngritjen e kullave gjigande, me vlerë qindra milionë euro.



