9.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    “Këta ndajnë të njëjtën grua” – Berisha akuza Ramës dhe Çuçit në Kuvend

    Sali Berisha ka akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, si organizatorë të incidentit para protestës së 6 Dhjetorit, ku u godit me grusht nga Gert Shehu.

    Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Berisha tha se ky regjim dëshmoi se është i aftë të bëjë gjithçka për eliminimin e opozitës së vërtetë. Ai deklaroi dhe një herë se Gert Shehu është agjent i policisë kriminale.

    Berisha deklaroi se e fali Gert Shehun, se nuk ka arsye që ai të rrijë në burg dhe “Gertat” e tjerë në Kuvend.

    Në një moment ish-kryeministri shthuri dhe gojën duke thënë se Rama dhe Çuçi në kohëra të ndryshme ndajnë të njëjtën bashkëshorte.

    “Në këto momente në të cilat ky regjim i mbështetur tërësisht në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dëshmoi se është i aftë të bëjë gjithçka për eliminimin e opozitës së vërtetë. Por unë jam sot këtu para jush si dëshmi e shpirtit të pamposhtur të opozitës. E vendimit të saj sublim për tu përballur dhëmb për dhëmb me këtë regjim kriminal, kreun e tij Edi Rama i cili në traditën e etërve të tij mizorë, xhelatë, babait të tij që firmoste varjen në litarë të kundërshtarit, dajës së tij që urdhëronte varrosjen të gjallë të kundërshtarëve politikë.

    Jam këtu për ti thënë se je i pashpresë, se me asgjë nuk do të arrish kurrë të mposhtësh opozitën shqiptare. Jam këtu për ti thënë se me aktin më korruptim, ke arritur të blesh dhe shesësh, deklarata, deputetë, kryetarë opozita e të tjerë me radhë, por ata kanë marrë fund, kanë shkuar dhe janë arkivuar siç do të arkivohesh dhe ti në kohët që vijnë.

    Edi Rama duke nxjerr në mes të rrugës një kriminel një informator të policisë kriminale, të përgatitur me ministrin e familjes që në kohëra të ndryshme ndajnë të njëjtën bashkëshorte. Edi Rama mendoi se kjo është rruga për të triumfuar mbi opozitën. Por i them këtu se të gjithë kriminelët e Shqipërisë po ti mbledhësh, të gjithë vrasësit po ti fusësh në këtë sallë, se të gjithë trafikantët, kurrë nuk do të mund të mposhtësh opozitën dhe popullin opozitar.

    Qytetarë dhe qytetare, unë kam marrë mijëra mesazhe nga ju. Në tërësi ato konvergojnë në përgjigjen që duhet ti japim Edi Ramës dhe unë ju garantoj se përgjigje tjetër përveç asaj që thoni ju, nuk kam imagjinuar dhe nuk mendoj. Një përgjigje të përbashkët, solemne kundër këtij armiku, i cili nuk ka normë morale, parim, kundër këtij burracaku, frikacaku që zgjedh një ditë të rëndësishme për shqiptarët për të kryer krimin, duke shprehur se ajo do të shërbente si maskë, mbulesë për të.

    Unë e fala Gerti Shehun për dy arsye, se është një mjeran që merr para, e fala edhe sepse Gerti Shehu është në Kuvend, pse ai të rrijë në burg dhe Gertat e tjerë të rrinë në parlament të kapardisur, të kollarisur.

    Por çfarë është Gerti në krahasim me këtë. Po ky është 10 herë më kriminelë se Gerti. Gerti mori një dorë parash nga ju, nga Edi Rama, nga ky e mori. Por këta janë shumëfishi i tij. Qytetarë, këta janë rrezik personal për çdo njeri. Ndaj dhe ju bëj thirrje për beteja të reja. U bëj thirrje të ngrihemi se kjo kalbësirë nuk ikën ndryshe vetëm se me revolucion.
    Ata që kanë frikë nga revolucioni, ata janë skllevër të krimit. Ata janë mostrat të krijuara nga skllavëria e krimit. Revolucioni askënd nuk duhet të trembë. Revolucioni është flladi i lirisë për të përzanë. 

    E shikoni ju se me kë jam në parlament. Por prap do vij, do vij e do vij gjersa të përzëmë kriminelin e fundit nga ky parlament, që të ju kthehet qytetarëve.
    Ndaj dhe mora fjalën dhe njëherë për të i deklaruar Edi Ramës se kauzën tonë ti kurrë nuk e vret dot. Mor hakmarrës primitiv, mund të nxjerrësh një kriminel në rrugë, mund të gjuajë të bëjë ç’të dojë. Por një popull të tërë që është sot kundra teje nuk do mund ta presësh dot. Dhe kohërat që vijnë do ta faktojnë këtë që thash.”
    , tha Berisha.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit