Nga Edmond Arizaj
Nuk ka pushime për të gjithë. Nëse “pushim” quani atë kohën në bregdet pasi: Keni vrarë mendjen 2 muaj ku do gjeni lekët, keni bërë 3 javë hesape sa shkon dhe sa ju mbeten, keni planifikuar sa dreka do hani jashtë dhe sa me bukë e domate me vete, keni llogaritur sa naftë ju duhet për makinën, keni tërhequr kursimet-kredi-overdraft-borxh…këto nuk janë pushime.
Thjesht përpjekje për t’u barazuar me ata që pushojnë vërtetë pa bërë hesape. Por ka dhe më keq. Ka familje që as këtë mundësi nuk e kanë, pra të pushojnë qoftë edhe me “dhimbje koke”. Pse? Sepse pamundësia e tyre, lidhet me kokorroçësinë e të tjerëve, që po t’i shohin duke hapur qesen me bukë me djathë, po t’i shohin se ngulin çadrën personale para shezlongut 10-30 mijë lekësh, nisin e përdredhin buzët, apo vjen “pronari” i detit dhe i përzë, sepse vija bregdetare është kudo me pronar.
Mirë që jepen gjithë hapësirat pa lënë një bythë vend për ata që nuk duan të paguajnë shezlong, apo nuk kanë, por “pronarët” marrin edhe të drejtën e hapësirës së detit. Apo shikimet e atyre që kanë marrë shezlonet e fillimit, e pikë e zezë! Ore, rëra, zhavorri, deti, jodi, janë të mira që u përkasin të gjithëve. Ai-ajo që do të shesi pordhë ka resortet apostafat për këtë produkt me gjithë çmimet brenda.
Nuk mund të privatizohen 300 km vijë bregdetare vetëm për shitje pordhe. Ore ka të drejtë çdokush të shijojë detin dhe Diellin. Ndaj këta që i ndajnë këto parcelat e detit, ta mendojnë se ka dhe pensionistë që e duan detin, por s’kanë as trenin më. Të mendojnë se ka edhe familje që jetojnë me pothuaj lëmoshë edhe këta nuk duan të bëjnë qejf, thjesht duan të shijojnë ndonjë ditë.
Ka dhe plot të tjerë…e nuk mund t’ua heqësh të drejtën të shijojnë detin dhe Diellin, sado të pangopur të jenë njëra, apo tjetra palë. Rërën dhe zhavorrin e kanë uzurpuar dhe tashmë nuk ka më kthim pas. Të paktën lironi detin.