Kiara Tito dhe Luiz Ejlli konfirmuan se janë në pritje të një vajze në nëntor të vitit të kaluar dhe njerëzit vijojnë të kenë pyetje dhe duan më shumë detaje rreth shtatzënisë së moderatores. Kiara ka bërë një “Ask me a question” në Instagram dhe u ka dhënë mundësi njerëzve të shuajnë kureshtjen, duke treguar disa detaje mbi shtatzëninë.
Kiara u shpreh se do të bëjë një festë ‘baby shower’ 1-2 muaj para lindjes, meqë është Bricjap dhe vdes për festa.
Sa i përket dhuratës më të bukur që Luizi i ka bërë, sigurisht që është vajza që presin të vijë në jetë.
Kiara rrëfeu se lëvizjet e bebit i ka ndjerë për herë të parë në javën e 22-të të shtatzënisë.

Një tjetër pyetje lidhet me gjërat që Kiara pëlqen te Luizi. Moderatorja u shpreh: “Qetësia dhe durimi, edhe kur unë jam me ato “hormonet e shtatzënisë”. Po si mo Luiz Ejlli nuk u bëre kurrë me nerva”, shkroi ajo, duke i bërë tag bashkëshortit.

Moderatorja tregoi edhe nëse do të provojë lindjen natyrale apo operacionin cezarian. “Inshallah më shkon mbarë dhe të provoj (lindje) natyrale. Si natyrale, si cezarian, të dyja besoj kanë vështirësitë e veta. Një bravo e madhe për të gjitha mamatë, se janë super guximtare dhe të forta! Sido që të jetë lindja, për mua është një proces shumë i bukur, por nuk mund ta mohoj që e kam me shumë frikë si për herë të parë”.

Nëse je në dilemë se ku do të lindjë bebi Ejlli, Kiara thotë se në Shqipëri, pasi nuk ka në plan të shkojë në asnjë vend tjetër!

Besojmë se këtë sfidë do ta kuptojnë shumë nëna. Kiara e ka paksa të vështirë të bëjë një gjumë të rehatshëm dhe zgjohet çdo dy orë, për shkak të barkut.

Me shumë edukatë, ajo iu përgjigj edhe pyetjes “A je shëndoshur shumë?”, duke dhënë një mesazh të bukur për nënat në pritje të ëmbël: “Hmm, nuk mendoj se duhet t’i thuhet një gruaje shtatzënë (sa je shëndoshur). Fatkeqësisht, në shumicën e rasteve nuk e kemi në dorë pjesën e kilogramëve dhe pse e them prapë dhe e theksoj: Këto janë kilogramët më të bukur që një grua mund të marrë”.

Kiara ka folur edhe më parë për shtatzëninë. Në një intervistë në “Ftesë në 5”, ajo rrëfeu emocionet e shtatzënisë. Kiara vuri në dukje se si një person që preferon të mos i bëjë gjërat e pamenduara, kishte kohë që mendonte dhe donte të bëhej nënë.
“Përveç Luizit [u përlot], edhe ky fëmijë ishte padiskutim gjëja që kërkoja në fund të ditës për të pasur një motiv për të jetuar,” u shpreh ajo.
Përsa i përket momentit se si i tha Luizit lajmin e gëzueshëm, Kiara tregoi:
“[Kur zbulon që je shtatzënë], në ato momente as nuk arrin dot të mendosh të bësh surpriza. Megjithatë, bëra një kuti të vogël, kutia që kam nxjerrë te videoja [e këngës ‘Frymë’] dhe kur erdhi në shtëpi ia tregova. Ai në fillim ngeli, nuk e priste fare edhe bënte atë batutën e testit të Covidit. Më thoshte ‘je pozitive me çfarë?’”
“Kemi qarë shumë atë ditë. Unë mbaj mend vetëm lot gëzimi,” përfundoi Kiara.




