28.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Kinezët e “Bankers” u arrestuan për dëmin miliona euro ndaj shtetit, dokumenti: Kur ministrja Anila Denaj fali gjobën 104 miliardë lekë për naftën

    Prokuroria e Fierit zbarkoi ditë më parë në zyrat e “Bankers Petroleum Albania” me 14 masa sigurie, 9 prej të cilave janë ekzekutuar, nën dyshimet se ka përdorur një skemë të mirëfilltë evazioni fiskal duke i bërë një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit shqiptar.

    Mirëpo, 6 vite më parë ka qenë vetë shteti shqiptar që i ka falur kompanisë së drejtuar nga kinezët, një gjobë të majme prej 104 milionë euro, me kursin e sotëm të këmbimit 104 miliardë lekë.

    Sipas dokumenteve (shiko Galerinë në fund të artikullit), kompania “Bankers Petroleum” është gjobitur nga 3 inspektorë të Hetimit Doganor, pas Akt-Kontrollit Nr. 290345 Prot., datë 13.12.2016 dhe Akt Kontrollit e Proces-Verbalit të datës 22.09.2017, megjithëse refuzoi të lejonte kontrollin në depot doganore.

    Vendimi për gjobë, është marrë i mbështetur në prova për evazion fiskal e kontrabandë, nëpërmjet fshehjes së prodhimit dhe import-eksporteve fiktive, që “Bankers Petroleum” bënte e vazhdon të bëjë me depot doganore.

    Pas ankimesh e trajtimesh gjyqësore, gjoba me vlerë totale 104 milionë Euro, ka qëndruar në fuqi si “Titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u paguar nga “Bankers Petroleum”, për shkak se institucionet ligj-zbatuese nuk janë lejuar të vepronin me masa shtrënguese (sekustro bankare).

    Më 17 korrik 2019, nga regjistri doganor, në rubrikën “Debitorët dhe gjobat”, rezultoi se ishte hequr gjoba 104 milionë Euro, detyrim i pashlyer nga kompania “Bankers”, pa dhënë asnjë sqarim publik.

    Edhe pse ky krim financiar u mbajt sekret, u zbulua se ish-Drejtori i Doganave, Arlind Gjokutaj, në shkelje të plotë ligjore, kishte fshirë gjobën jo me vendim gjyqësor apo me ligj amnistie, por me Rekomandim Nr. 13646 Prot., datë 17 korrik 2019 të Ministres së Financave Anila Denaj.

    Fakti që gjoba 104 milionë Euro, u fshi me “shkresë-rekomandim” të ministres dhe zbatim antiligjor të Drejtorit të Doganës, është konstatuar e cilësuar si skemë e paramenduar dhe e organizuar krimi financiar, në favor të kompanisë “Bankers Petroleum”, ndaj në vitin 2022 SPAK ka marrë në dorë këtë rast dhe ka kërkuar “llogari” nga institucionet e lartpërmendura për zhdukjen e gjobës dhe procedurën e heqjes së saj.

    Megjithatë, pavarësisht se kanë kaluar rreth 5 vite, nuk dihte se çfarë ka ndodhur me këtë dosje në duart e SPAK.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit