Nga Roland Qafoku
Kur presidenti Aleksandër Vuçiç i tha në formë urdhri trajnerit serb, Dragan Stojkoviç, “shko në Shqipëri dhe fito”, duhet të ketë patur parasysh se si është ndjerë gjatë vizitës në Tiranë më 27 maj 2015.
Teksa takoi kreun e Kuvendit të asaj kohe Ilir Meta në Pallatin e Brigadave, fotoreporteri Gent Shkullaku e fiksoi në një foto që tashmë është futur në histori. Pamja është me 5 yje dhe e denjë për ta komentuar me 1 mijë fjalë.
Me sy të ngrirë përtej xhamave të syzeve dhe me gojën gjysmë të hapur, Vuçiç pothuajse ka ngrirë teksa shikon pikturën në të cilën shfaqet heroi i Mitrovicës Isa Boletini që i afrohej Vlorës atë fundnëntori të vitit 1912. Më pas, e gjitha ishte një zemërim i presidentit serb me fjalën “provokacja” dhe sigurisht një inat i konservuar në enë të mbyllur.
Pas fiks 10 vjetësh, futbolli shqiptar është përballë një sfide, ndoshta më e rëndësishmja në të gjitha dimensionet. Sot, në orën 20.45., kombëtarja jonë do ndeshet në “Air Albania” me atë serbe, në një ndeshje që në aspektin futbollistik ka vlerë determinante. Nëse fitojmë, kemi mundësi të ëndërrojmë për të qenë në finalet e Botërorit. Nëse ndeshja del barazim apo humbasim, shpresat janë pothuajse zero. Por ndërsa në ndeshjen e vitit 2014 në Beograd ne morëm një 3-0 në tavolinë, në ndeshjen në Elbasan u mundëm 2-0.
E megjithatë, me të drejtë gjithçka u quajt triumf, sepse ne arritëm të shkonim në Evropian dhe ishim pikërisht ne që ndaluam Serbinë të shkonte ajo në finalet e Parisit. Triumf ishte edhe organizimi perfekt i ndeshjes në Shqipëri pa asnjë incident, krejt ndryshe nga ajo në Beograd. Vetëm Zoti u shpëtoi jetën futbollistëve tanë nën goditjet me ç’të mundnin dhe thirrjet histerike të tifozëve “Vritini shqiptarët”.
Sot është një histori dhe rrethanë krejt tjetër. Një histori që sado të përpiqesh ta ndash futbollin nga marrëdhëniet mes dy shteteve nuk e bën dot. Fakti është se në 1500 vjet që serbët na kanë ardhur dhe na janë bërë fqinj, ne shqiptarët nuk u kemi shkelur asnjë centimetër tokë. Ata jo vetëm na kanë shkelur, por na kanë marrë toka dhe territore të tëra.
Na kanë pushtuar, na kanë masakruar dhe më e rënda, janë një komb që kanë hartuar platforma shtetërore të qarta për të na shfarosur. Serbët janë gjithashtu ai komb që ndaj shqiptarëve të Kosovës kanë kryer genocidin e dytë më të rëndë, pas gjermanëve ndaj hebrenjve, në historinë e kontinetit evropian.
Ti harrosh këto, ose je budalla, ose je serb. Prandaj, djemtë e kombëtares sonë sot nuk do luajnë thjesht një ndeshje futbolli. Ata sot kanë një mision: Të mundin Serbinë dhe të bëjnë krenar një komb të tërë. Ta mundin dhe të na bëjnë të ëndërrojmë për të qenë në finalet e Botërorit.
Dhe nëse kjo do ndodhë, dikush duhet t’ia kujtojë presidentit Vuçiç këtë fotografi historike të Gent Shkullakut. Ndërsa trajneri Dragan Stojkoviç doemos do ti thotë: Zoti president, shkova në Shqipëri, por shqiptarët më mundën. Forca djema! Sot është sfida e sfidave.