Egli nusja. Gjesti dhëndri. Veshje, dekor, muzikë. Momenti kulminant: “Tani mund ta puthësh nusen”. Dhe ata…u puthën.
Ne, përtej ekranit, shtangëm. Sepse le të jemi të sinqertë: puthja ishte paaak e sikletshme. Por jo për faj të Eglit dhe Gjesti-t. Jo, jo! Ata ishin thjesht dy njerëz që puthen. Problemi jemi ne.
Ne, që kemi kaluar vite të tëra duke parë puthje filmash, ku aktori e kap partneren lehtësisht nga qafa, i afrohet si me slow motion, me buzë që vibrojnë nga tensioni romantik dhe në sfond dëgjohet një muzikë pianoje, ose ka shi dhe një avion kalon në momentin perfekt.
Ne, që besojmë se një puthje “e bukur” duhet të ketë tri gjëra: ndriçim profesional, muzikë romantike dhe një regji që të kap bukur profilin.

Ndërkohë, realiteti është shumë ndryshe. Sepse në botën reale, puthjet nuk janë skena filmi. Janë momente pasionante, ndonjëherë të shkurtra, ndonjëherë me dhëmbë, ndonjëherë me gabime koordinimi që shkaktojnë përplasje hundësh.
Thjesht nuk na filmojnë 100 kamera në 4K Ultra HD. Për fat të mirë. Ose të keq – varet si puthni.