Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Evi Kokalari i ka dërguar Sali Berishës nëpërmjet avokatëve të saj amerikanë kërkesën për t’u regjistruar zyrtarisht si kandidate në garën për kryetar të Partisë Demokratike, votimet për të cilin do të mbahen më 23 maj.
Në Facebook, Kokalari ka postuar foton e kërkesës së dërguar në emailin zyrtar të Sali Berishës nga avokati amerikan Ronald D. Coleman më 19 mars.
Aktivistja tregon se ka tentuar që kërkesën t’ia dërgojë zyrtarisht nëpërmjet emailit edhe Flamur Nokës, i cili është sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Kur Kokalari i kërkon emailin zyrtar, Noka i replikon me të qeshura, përgjigje e cila sipas aktivistes ngre “pikëpyetje serioze mbi statusin e tij psikologjik”.
Kokalari tregon se kërkesën për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të PD-së, ia ka dërguar edhe djalit të kryedemokratit, Shkëlzen Berishës, “nëpërmjet të cilit kalojnë të gjitha kandidaturat”.
Postimi i plotë i Evi Kokalarit:
Sa për informacion publik, kërkesa zyrtare nga avokatët e mi i është dërguar Sali Berishës via e-mail më 19 mars 2026.
Në bazë të këshillës së avokatëve në Shqipëri, i kam kërkuar edhe Floriana Garos dhe vetë Flamur Nokës të më japin adresën e e-mailit të tij (Nokës) në kapacitetin e sekretarit të partisë, që t’ia dërgonim në mënyrë zyrtare.
Kjo është refuzuar nga Floriana për arsye që nuk kanë kuptim dhe në mënyrë joprofesionale (jo se prisja më tepër) nga vetë sekretari, i cili u përgjigj me një emoji, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi statusin e tij psikologjik.
Gjithsesi, letra është nisur edhe nëpërmjet mesazhit elektronik sekretarit, kryetarit Sali Berisha dhe Shkëlzen Berishës, nëpërmjet të cilit kalojnë të gjitha kandidaturat.
Sigurisht, kjo fiasco do të marrë fund kur Berisha të zëvendësohet jo nga ata me të shkuar kriminale si “Babalja”, por nga individë me një të shkuar super të pastër, dhe që fokus kanë vetëm reformimin e opozitës dhe largimin dhe zëvendësimin e Edi Ramës.




