14.5 C
Tirana
E hënë, 23 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kompozitorja ironizon performancën në Eurovision: “Arna-arna, sekreti doli sheshit”!

    Ka ngjallur diskutime të mëdha performanca e Ronela Hajatit në Eurovision. Një prej atyre që reaguan fort ishte dhe kompozitorja Eriona Rushiti, e cila përmes një statusi të gjatë në Facebook, tregoi sesi është parë prezantimi ynë në festivalin e njohur muzikor europian përmes syrit të një muzikanteje.

    “Sigurisht që mbrëmë jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe perfomancat e natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme  dhe të drejta.

    Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqësime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin. Dhe mbrëme nuk vura re ndonjë ndasi politike apo gjeopolitike, sepse këngët që nuk kaluan ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë,  pasi këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ose si në rastin tonë ku të gjitha komponentet e një kënge çaluan.

    Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit,  të sportit etj.) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi.

    Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga keto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skene e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe ne mbrëm nuk kishim asnjerën nga këto komponente:

    1-Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.

    2-Interpretimi nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht ( qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra 1-2-3 e fjalë pa asnjë lidhje logjjke me njëra-tjetrën)

    3-Dhe, së fundmi, performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik të orëve të vona të natës.

    Të gjitha këto komponente dukej se ishin bërë “me vesh” i themi ne nga anët tona. Këngë me një strukturë arna-arna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër  e mbushur me pasthirrma  agresive a thua se po shkonim në luftë. Një tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija”, edhe fjalën “regret” , edhe “toca-tocalo, “ edhe “ta marrsha”, edhe “ma ke bo jeten si lojna, avion” e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër.

    Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept, e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të terhequr vemendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit.

    Edhe njëherë e theksoj që përfaqësimi i një shteti është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë ndjekës në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson, sepse ne dimë akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qofte edhe me një ndriçim modest e të emocionojmë me vokal…

    Ne dimë akoma të shijojmë muzikë dhe kur them ne, e them si për brezin tonë (profesionist apo jo), por edhe për brezin e djalit tim që më tha: “Shumë më bukur Moldavia, o ma, me atë folkun e pastër, sesa ne me këtë këngë”.

    Kam shumë për të folur e  treguar sesi punojnë shtetet në drejtim të përfaqësimit të tyre, qoftë edhe në këtë Eurovisionin që thuhet se nuk është më si dikur, por që në fund ka një vlerësim për të gjithë. Dhe peshën e vlerësimit e marrin juritë profesioniste të secilit shtet si dhe votat e publikut. Jam e sigurt që mbrëmë Shqipëria nuk ka marrë vlerësim të jurive profesionale, por mund të ketë pasur vota publiku, e kryesisht të fanatikëve e fansave të përfaqësimit tonë (sepse e bëjnë çdo vit me devotshmërinë më të madhe dhe, në radhë të parë, sepse e duan Shqipërinë), por të cilat nuk mjaftojnë për ta kaluar këtë garë.

    Po kthehem edhe njëherë në fillim ku thashë nuk është fundi i botës dhe se Ronela do të vazhdojë jetën e saj artistike për fansat që e ndjekin gjithmonë, por edhe për ata fansa të shtuar këto kohë që me natyrën e saj karizmatike i ka mbajtur gjallë që nga koha e shpalljes  si fituese e festivalit.

    Por kur paraqitesh në Eurovizion, nuk është njësoj si të bësh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njëjta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj.  Jo me kot u censuruan disa foto të Ronelës në provën e saj të parë.  Organizatorët e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin që ky është një eveniment familjar. Pra, kemi të bëjmë me një show ndërkombëtar dhe jo individual.

    Me këtë nuk dua të them se jam kundra ekstravagancës, apo thyerjes së disa tabuve shqiptare, por të gjitha këto duhen bërë me art, duan eksperiencë skenike, duan krijimtari e, mbi të gjitha, duan dinjitet artistik e jo banalitet. ……….Jeta vazhdon. Festivale të tjera na presin. Peace”, ka shkruar ajo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit