Kongres apo panair? Socialistët nisën mbledhjen më të madhe politike të tyren, me një parakalim traktorësh, kafshësh, fermerësh dhe prodhimesh bujqësore.
Në mes të një krize ekonomike çmimesh, kur kostot e prodhimit janë shtrenjtuar dhe forca blerëse është ulur, ky parakalim i gjallë në ngjyra por dhe në probleme, dukej parathënia e re e një kongresi që duhej të sillte disa risi statutore. Dhe sigurisht debatin e zakonshëm dhe thashethemet. Mes tyre ajo e ringjalljes së Ditmir Bushatit, në lidershipin e partisë, pas dy vjetëve replika të forta me Edi Ramën në distancë. Por distanca mes tyre sot u reduktua.
Ditmir Bushati: A kemi bërë gabime dhe jemi rrëzuar rrugës? Natyrisht që po. A kemi patur fuqinë të korrigjojmë veten dhe kemi ditur të ngrihemi? Padyshim që po. Këto kohë më kujtojnë thënien e Albert Kamysë se “forca e zemrës, zgjuarsia dhe guximi mjaftojnë për ta mposhtur fatin.
Fati mbron më të mirët, por në rastin e socialisteve, fati i tyre quhet Partia Demokratike. Taulant Balla, i cili ndryshe nga kongresi i fundit, e sheh majën e partisë nga poshtë lart, nuk e fshehu kritikën ndaj kësaj rrethane që sipas tij është një kurth.
Taulant Balla: Opozita në Shqipëri dhe këtu i referohem Partisë Demokratike është në një gjendje dhe situatë të vështirë. Ne kurrsesi nuk duhet ta shohim këtë gjendje dëshpëruese të opozitës si një avantazh. Unë ju sugjeroj që ta shohim të gjithë si një kurth, ku ne mund të rrëshqasim e të biem brenda nëse do të ndiheshim komodë dhe të qetë sepse përballë kemi një kundërshtar të shkatërruar.
As vendi dhe as qeveria në fakt nuk ndihen komod sot, mes krizash të brendshme e të jashtme, nga inceneratorët e deri tek lufta në Ukrainë. Por mesazhi i Kongresit të shumicës ishte i qartë: “Qeveria ja del si gjithmonë të zgjidh çdo hall e problem, si me dorën e zotit. Dhe ne krye ai, qe zgjidh gjithçka: Nga kriza e Ukrainës e deri tek çmimi i karburantit.”
Edi Rama: Nuk ka asgjë më normale e më të natyrshme se sa ne të shkojmë kundër rrymës të vetë sistemit për të mos lejuar që pensionistët tanë të kenë dhimbje koke të shtuar për shkak të faturës së energjisë.
Por fjalimi 100 minutësh i kryesocialistit, mori rëndësi pikërisht tek pasojat e të vetmes fjalë që nuk u përmend kurrë: inceneratorët.
Edi Rama: Thonë ky i gjati nuk të mban, ky i gjati lëshon. E thonë apo jo? E thonë. Ky i gjati nuk i mbron njerëzit e vet. Dëgjoni këtu, unë nuk lëshoj askënd në këtë familje që bëhet shënjestër për punët e përbashkëta, por jo vetëm që nuk mbaj e nuk mbroj askënd që besimin e marrë nga zgjedhësit, nga kjo familje dhe nga unë vetë e përdor për t’i ngrënë pas shpine edhe zgjedhësit, edhe familjen tonë politike, edhe mua.
Dhe më pas paralajmërimi tjetër serioz.
Rama: Të gjatin nuk e beson njeri kur thotë që ma bënë mbrapa krahëve. Kjo është e vërtetë. Kush e beson? Dukesh dhe si hajvan, 2 metra. Mos u çudisni kur të më shikoni mua vetë tek dera e SPAK me ndonjë për veshi nga këta që duan t’i mbroj unë.
Këtu, socialistët u ndanë, tek ata që qeshën, tek ata që u kënaqën dhe tek ndonjë që u mendua.
Të bashkuar jo te ndarë ishte hashtagu i kongresit por eventi ishte më i ndarë se kurrë. Ministra e drejtues u shpërndanë në 5 stenda të këtij panairi politik unik në vend, ku qeveria paraqitej nën dritat roze të fanfarës socialiste të një mandati të tretë vërtet unik.
Bora Muzhaqi: Unë do e mbyll me kaq. Do falënderoj shumë panelistët dhe ndjesë për diellin e tepruar po ia keni dalë më së miri… Besoj se të rinjtë sot kanë mësuar disa gjëra të reja dhe kanë mësuar edhe ku të aplikojnë e ku të shkojnë për t’u bërë ekspertët e IT në të ardhmen.
I vetmi qe doli nga skenari i paradës mediatike të kongresit ishte rebeli Erion Braçe. Fjala e tij vuri në siklet panelin e bujqësisë.
Erion Braçe: Sa janë këtu bujq që kanë para pa marrë tek grumbulluesit për 5, 6 apo 7 muaj. Po nuk u fiskalizua, po nuk u rregullua skema e tatimit mbi vlerën e shtuar, do vijojë historia e mosdhënies së parave.
Arben Pëllumbi: Të lutem, përmbylle se duan të flasin dhe të tjerë….
Erion Braçe: S’kam nevojë për lavdërime. Unë me thënë të drejtën dëgjova deri tani, i pranoj lavdërimet, po do dëgjoja disa sugjerim që duhet t’i marrim, se vitin tjetër do jetë vonë, për PS dhe për bujqësinë. Vitin tjetër do të jetë shumë vonë Ben, më beso. Ja ku i ke pyeti.
Arben Pëllumbi: Po atë po bëjmë, atë po pyesim.
Erion Braçe: Tani do që unë mos të flas, po kjo nuk ka ndodhur që nga 1990.
Si çdo kongres partie në pushtet, edhe ky u shënua nga interesi, kush po bie, kush po ngrihet e kush vazhdon rrugën e tij.
Erion Veliaj: Plani është që të vijoj të shërbej për qytetin për të çuar deri në fund projektin dhe vizionin për Tiranën. E mira e ligjit të lejon tre mandate, kështu që do të doja ta çoja deri në fund këtë mision dhe më pas t’ia lija radhën dikujt tjetër që mund ta cojë akoma më lart.
Kongresi i socialisteve u zhvillua pak metra larg zyrës së presidentit në ikje, Ilir Meta. Maxhoranca dështoi ta shkarkojë armikun e saj të ardhshëm ne politike, por socialistët nuk e fshehën as në Kongres se çfarë mendojnë për të.
Duke mos zhgënjyer, presidenti edhe sot e harroi detyrën e tij, duke i bërë një dhuratë speciale kongresit socialist.
Ilir Meta: Shumë shpejt do të ndërtoj si president një Komitet të Transparencës për aferën e Inceneratorëve. Nuk ka bërë asgjë më shumë mafia në Sicili sesa këtu. Së shpejti do të nis një tur llogari-dhënie.
Situata në të cilën u mblodh ky kongres është paradoksale. Partia Socialiste vjen nga një tjetër fitore elektorale, si ajo e 6 marsit, por edhe me një tjetër deputet në pranga për aferën e inceneratorëve. Me një kryetar partie që kërkon një mandate të katërt, por edhe një kryeministër që ndan veten nga korrupsioni i ministrave të tij. Duket sa kohë ka një opozitë të dobët, kampi socialist do të eksperimentojë këtë dualizëm unik të një qeverie që fiton e humbet, një lojë në të cilën nuk ka kundërshtarë. Sa kohë është një lojë e nuk kthehet sic paralajmëroi një drejtues socialist, në një kurth të rrezikshëm ku bien të gjithë.(TCH)