Nga Vitjon Nina
Më 19 korrik 2023, Komisioni Evropian zyrtarizoi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II”.
Një program ky, i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me fondet evropiane për bujqësinë dhe i cili çoi më tej edhe në shkarkimin e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca, nga kabineti Rama 3.
Në mënyrë faktike, ka qenë një dosje nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), lidhur me zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri, ajo e cila shtyu Unionin drejt këtij vendimi “ekstrem” për ndërprerjen e fondeve.
Vetë OLAF, nuk reagoi shprehimisht mbi këtë dosje dhe as detaje nuk janë publikuar.
Por, Albanian Post e ka parë atë dhe mund të thuhet qartazi se është ndër më voluminozet dhe të detajuarat, në lidhje me një ish-zyrtare të lartë shteti.
Siç mëson redaksia e Albanian Post, OLAF jo vetëm ka hetuar shkelje të ndryshme në lidhje me IPARD II, por zotëron edhe mesazhe të ish-ministres Krifca me sipërmarrës të ndryshëm, sa i takon dhënies së fondeve.
Detaje të tilla përfshihen edhe në dosjen voluminoze që Prokuroria e Posaçme SPAK ka mbi tryezë në lidhje me këtë çështje, të denoncuar zyrtarisht edhe nga Nisma Thurje, ku akuza ngrihen jo vetëm ndaj Krifcës, por edhe ndaj disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Vetë kreu i SPAK ndërkaq, Altin Dumani, e ka pranuar më parë se lidhur me këtë hetim, “ka ende shumë punë për të bërë”
Në një prej rasteve që Albanian Post ka parë, përfshihet edhe një kompani hoteliere në bregdetin e jugut.
Kjo kompani, i ka kthyer fondet e përftuara te agjencia, por pavarësisht kësaj, OLAF e cilëson si të korruptueshme edhe këtë mënyrë të komunikimit me fondet e agjencisë.
Në një çast të dytë, Albanian Post mund të publikojë edhe detaje të mëtejshme nga dosja e OLAF, e cila ende është nën hetim dhe rrezikon seriozisht të bëhet ndër “më të frytshmet” për arrestimin e zyrtarëve shqiptarë, të cilët kanë kryer shkelje dhe shpërdorim me fondet publike.
Vetë Krifca ndërkaq, publikisht e ka mbrojtur veten vetëm një herë, sa kohë ishte në detyrë, lidhur me ketë temë, kur ka thënë se pezullimi i fondeve të IPARD nuk lidhet me korrupsionin, por është një masë preventive deri në sqarimin e rrethanave me fondet.
Megjithatë, nuk është ky thjesht një tjetër precedent i fondeve të keqpërdorura, pasi këtë herë kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian dhe në bazë të rregullave të BE-së, nëse vërehen keqpërdorime, për një periudhë 24-mujore nuk derdhen fonde.
Pra Shqipëria mund të mbetet edhe pa financime evropiane, derisa të krijohet mirëbesimi për t’i “shkrirë” sërish ato.
Çfarë është IPARD II?
IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit.
Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II.
IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare.
Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.
Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.



