Në skenën publike shqiptare, Kreshnik Spahiu u shfaq fillimisht si një figurë reformiste brenda sistemit të drejtësisë. Emëruar në vitin 2007 si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai u dallua për një qasje të ashpër ndaj gjyqtarëve të dyshuar për korrupsion dhe për përplasjet e vazhdueshme me mazhorancën e kohës.
Në kulmin e debatit për drejtësinë dhe ndërhyrjen politike në sistem, Spahiu doli hapur kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe vetë Kuvendit.
Këto përplasje kulmuan në vitin 2012, kur Spahiu dha dorëheqje nga KLD, duke denoncuar “kapjen e drejtësisë nga mazhoranca”.
Ai kishte nisur aktivizimin e tij me Aleancën Kuq e Zi, edhe pse jo zyrtarisht lëvizje politike. Me mitingje në qytete shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, Spahiu shpalosi një diskurs të ashpër kundër klasës politike, kërkoi përkufizimin kushtetues të kombit shqiptar dhe shpalli bashkimin kombëtar si mision politik. Në vitin 2013, Aleanca Kuq e Zi mori pjesë në zgjedhjet parlamentare, por nuk arriti të hyjë në Kuvend, pavarësisht profilit të lartë të liderit të saj dhe jehonës mediatike.
Pas këtij momenti, lëvizja humbi vrullin, ndërsa vetë Spahiu u tërhoq nga angazhimi aktiv në politikë partiake.
Në vitet që pasuan, ai u rikthye si zë kritik përmes publicistikës, analizave juridike dhe pjesëmarrjes në debatet televizive. Për shumëkënd, Kreshnik Spahiu nuk është më një pretendent për pushtet, por një reflektim i asaj që politika shqiptare nuk lejon të ndodhë: hyrjen e një alternative të papërlyer në lojën e madhe.
“Ishte në gjykatat e jugut të Shqipërisë, unë konstatova që qindra shqiptar ndryshonin kombësinë nga shqiptare në greke me një vërtetim thjeshtë nga kisha.
Ishte akt i paprecedentë për shkak të një hapësirë që kishte krijuar parlamenti shqiptar. E denoncova si skandal gjyqësor dhe kushtetues, sepse nuk ndryshohet kombësia, në asnjë shtet të botës.
Nga ajo përplasje fitova një emër të mirë por humba karrierën. Unë lë gjurmë kudo që kam qenë, edhe kur s’kam asgjë në dorë, imponohem me mënyrën e komunikimit.
Kur dhashë dorëheqjen nga KLD përplasja ishte me qeverinë dhe ish-kryeministrin Berisha, që po ta gjykoj sot ka qenë i detyruar ta mbante atë qëndrim”, tha ai në Top Story.
Ai u ndal edhe te ajo që e quajti ‘gabim’ në karrierën politike, kur tha se pasi krijoi Aleancën Kuqezi, nuk dëgjoi këshillën që i dhanë amerikanët.
“Rruga ekstremiste asnjëherë nuk të jep sukses… Një moment që e quaj papjekuri nga ana ime, është kur dhashë dorëheqje nga KLD, dhe krijova Aleancën Kuqezi dhe pata një mbështetje të fortë nga faktori ndërkombëtar.
U ftova dy herë në Departamentin e Shtetit dhe kur takova ndihmës sekretarin e shtetit të Hillary Clinton, më dha një këshillë që nuk e di pse nuk e dëgjova.
Sot e reflektoj dhe nuk e kuptoj si kam gabuar. Më tha ne do të mbështesim me një kusht, të heqësh dorë nga retorika nacionaliste e fuqishme dhe të mos kalosh kufijtë e Shqipërisë, Maqedonia është projekti jonë, mos kalo në Preshevë, por edhe në Kosovë ki kujdes në marrëdhëniet me Albin Kurtin.
E pyeta pse shikon rrezik nga unë? Nuk shikojmë rrezik nga ju por kauza, teza, simbolet, çdo gjë që t’i ke zgjedhur është perfekt dhe mund të ekzistojë rreziku që për shkak të popullaritetit që po merr, të gjithë politikanët në Shqipëri, Kosovë apo më gjerë, të futen në garë dhe të kopjojnë retorikën, dhe ne na del jashtë kontrolli i gjithë Ballkani. Unë të treja nuk i mbajta”, tha Spahiu.