Arbi Bamllari, së bashku me ekipin e Skaitech kanë arritur që të krijojnë dronin e parë shqiptar. Droni ka një sërë funksionesh si inteligjencë artificiale, kamera termike, 4G dhe 5G si dhe autonomi fluturimi. I ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Arbi tha se ishin frymëzuar nga një kompani amerikane.
“Droni është krijuar për qëllime të survejancës, për misione praktike, për patrullimin e kufijve. Ka karakteristika si kamera termike, inteligjenca artificiale, komunikimi me 4G dhe 5G që është një risi, autonomia dhe siguria e tij.“, tha ai duke shpjeguar dhe parametrat.
“Ne krijuam një prototip të dytë që është bërë vetëm për qëllime testimi për stabilitetin dhe autonominë e tij. Prototipi i parë qëndron deri në 30 minuta në ajër, ka një distancë fluturimi deri në 10 km, por fakti që ka 4G dhe 5G që nuk është testuar deri në fund, i jep kapacitetin që të shkojë dhe më tej kësaj distance.
Pesha është 2.5 kg dhe duam ta çojmë në 1.5 kg. Të ketë një fluturim prej 40 minutash dhe distanca të rritet deri në 25 km.“, theksoi ai. Arbi shtoi gjithashtu se krahët dhe trupi janë bërë me fibra karboni në mënyrë që të reduktojnë peshën.
“Nëse do të jetë për ushtrinë, do të ketë dhe disa elementë ekstra për pjesën e sigurisë. Ne kemi diskutuar me ministrin Niko Peleshi, të cilit ia prezantuam si koncept, dhe thjesht diskutuam se do të jemi të parët që do ta bëjmë dronin.
I kam treguar dhe finalizimet e dronit dhe shpresoj që ta shohë me potencial sepse është ideuar pak për qeverinë shqiptare por jo vetëm.“, shtoi ai.