14.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Mars, 2025
More
spot_img
spot_img

“Kritikët” që dëshiron Edi Rama në Tiranë dhe që i adhuron Albin Kurti në Prishtinë!

Nga Aranit Muraçi

Qeveritë e majta, të udhëhequra nga Edi Rama dhe Albin Kurti mund të kenë njëmijë e një probleme, defekte dhe të meta. Mund të kenë po aq të përbashkëta e dallime. Për nga koha e qëndrimit në pushtet dhe efikasiteti ato ngjajnë më shumë sesa dallohen. Por më shumë ngjajnë sesa dallohen nga kundërshtarët e tyre të çorientuar politikë dhe “kritikët e pavarur” që varen plotësisht prej delirit dhe interesit personal.

Para se të pretendojmë se, kur punojnë keq, qeveritë duhet t’i largojmë, t’i ndërrojmë e t’i zëvendësojmë, mirë është të dimë se ka keq edhe më keq se vetë ato. Normalisht kur qeveritë qëndrojnë gjatë në pushtet, ato qëndrojnë ose për meritën e tyre, ose sepse, sidoqoftë (keq) qeverisja, i kanë “shumë të mirë” kundërshtarët politikë.

Veçanërisht në Tiranë jemi te kjo e dyta. Ndoshta edhe në Prishtinë. Të përçarë, të etur për pushtet, gati të gjithë me ambicje të shfrenuara, të humbur në realitetin e hidhur me të cilën ballafaqohet në përditshmërinë e saj shoqëria shqiptare, pa “busull”, kundërshtarët politikë të dy qeverive, më e theksuar në Tiranë sesa në Prishtinë, dhe më tepër se vetë qeveritë, shfaqen si pengmarrës të së tashmes, që të ardhmen e shohin me të vetmen shpresë për të korrigjuar gabimet e tyre të së shkuarës.

Të vjetëruar në kohë dhe të pakorigjueshëm ata kurrë nuk e kanë parë dhe nuk e shohin politikën si një mundësi për të qeverisur dhe më tej kur të bien, për të reflektuar, për t’u tërhequr dhe për t’i hapur rrugë të tjerëve, njerëzve të duhur e të paprovuar me qëllim për ta çuar përpara shoqërinë dhe zhvillimin tonë kombëtar.

Kësisoj përfaqësuesit politikë të opozitës u bëjnë nderin e parë dhe më të madh qeverive aktuale të Tiranës e të Prishtinës që të qëndrojnë në këmbë, kur normalisht në një vend tjetër demokratik gjasat janë që ato të bien edhe pa pritur zgjedhjet e radhës. Ata qëndrojnë sikur t’i kishte porositur me vetë gojën e tij kryetari i qeverisë së Tiranës, si një ndër ‘sukseset’ më të mëdha që ka arritur, duke u përgatitur për të hipotekuar mandatin e katërt radhazi përballë asaj që ai e quan “opozita që duam”.

Por mes dy qeverive dhe kundërshtarëve të tyre politikë ka një të mesme që është aq e ngjashme si të ishte gati një ‘prerje’. Është përfaqësimi i shpallur “elitar” i opinionit publik, i fabrikuar si për dreq, kushedi se nga ç’projekt famëkeq. Ç’u bë në trojet tona me ideatorët dhe trashëgimtarët e Sudes?!

Modele dhe shumbuj ka plot. Gjenden ku t’i duash sa në rrugë po aq edhe nëpër ekrane televizive, nga Tirana deri në Prishtinë. Njëri prej tyre, si shembull, mban emrin e bukur të qytetit të Beratit, kritika e të cilit në nivel letrar, për çudinë e të dyja qeverive ende nuk ka marrë marrë ndonjë çmim kombëtar.

Sa më tepër i kritikon me “gjuhën” e tij Berati dhe soji i tij qeverisjet e Tiranës dhe të Prishtinës, duket sikur pas çdo kritike të ashpër më shumë u rriten pikët të dyja qeverive dhe më tepër shtohen simpatizantët e tyre.

Minimalisht “kritikët” e pavarur, që të mos tallen qeveritë me kritikat e tyre dhe të mos qeshë e të qajë publiku me ta, kanë dy rrugë; e para duhet që të ekspozohen më pak ose aspak kur nuk dinë të shkruajnë pastër shqipen ose, e dyta, të mësojnë gradualisht rregullat gramatikore që nxënësit mesatarë të çdo shkolle ku mësimi jepet në gjuhën shqipe, i mësojnë nga klasa e katërt deri në klasën e shtatë.

Ai që nuk pajtohet me standardin e gjuhës sonë shqipe, me argumentin se një i tillë është “vepër” e komunizmit, nuk është asgjë më shumë veçse një delirant. Natyrisht ai është i lirë ta shkruajë gjuhën shqipe sipas “standardit” të tij, por jo të shitet si përfaqësues i opinionit publik dhe më tepër kur pretendon se është i aftë për të përçuar një mesazh me karakter politik. Ky lloj modeli justifikon deri diku masakrimin që i bëhet gjuhës nga mediokriteti brenda institucioneve publike.

Nevoja e përmirësimit ose qoftë edhe ndryshimi i standardit të gjuhës shqipe është një tjetër debat që mund dhe duhet ta zhvillojnë gjuhëtarët e Prishtinës dhe ata të Tiranës. Sigurisht një rrugë e tillë kërkon vullnet politik.

Le të kthehemi te “kritikët” e famshëm të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilët në vend të misionit dhe gjoja në emër të patriotizmit jo vetëm që nuk po i rrëzojnë siç premtojnë, por, përkundrazi, po i ndihmojnë qeveritë që të qëndrojnë, e madje të rriten, dhe më keq se kaq po minojnë dhe sabotojnë vlerat kombëtare.

Kritikët me “gjuhën” e Beratit, ndaj qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë janë një dramë më e madhe se vetë kundërshtarët e tyre politikë. Janë fatkeqësi, në kufijtë e një tragjedie kombëtare, mbi nivelin letrar të të cilëve kryeministri Albin Kurti në Prishtinë duhet të sakrifikojë çdo privilegj dhe komoditet që i siguron “kritika” dhe të shpallë situatën e krijuar një “emergjencë kombëtare.”

“Kritikët që duam” ose që dëshiron Edi Rama, dikur publicist me profesion, kur me gjasë nuk do t’ia dalin dot të rrëzojnë qeverinë e tij as këtë herë, duhet të frenohen sadopak nga vetë kryeministri i qeverisë së Tiranës, që të mos hidhen më aq shpesh “në sulm” me idenë se do të mund të korigjojnë e të rrëzojnë qeverinë e Donald Trump, në SHBA. Europa nuk i ka aq mirë punët me ShBA-në ndaj edhe kritikat e Tiranës në “gjuhë të huaj” për politikën ndërkombëtare duhen lëshuar me “karar” sepse mund të jenë me “zarar”.

spot_imgspot_img

Lajmet e fundit