9.5 C
Tirana
E premte, 1 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kriza e rëndë po godet shëndetin mendor të shqiptarëve

    Nga Deada Hyka

    Kostoja e jetesës po rritet, duke krijuar pasiguri të re ekonomike në fund të dy viteve shumë të pasigurta.

    Ekspertët thonë se rezultati mund të jetë më shumë tendosje mendore, stres dhe ankth. Kujtojmë se inflacioni në muajin shtator arriti 8.1 për qind, niveli më i lartë në 24 vjet që nga dhjetori i vitit 1998.

    Në vetvete, inflacioni nuk është domosdoshmërisht i lidhur me përkeqësimin e shëndetit mendor. Ndikimi tek individët varet shumë nga situata financiare. Nëse të ardhurat e një personi nuk rriten së bashku me inflacionin, ata mund të përfundojnë në gjendje më të keqe financiare.

    Dhe njerëzit, të ardhurat e të cilëve kryesisht shkojnë për gjërat bazë të domosdoshme si ushqimi dhe karburanti, duke i shtuar faktin që kanë të ardhura të ulëta, do priren të vuajnë më së shumti kur inflacioni është i lartë.

    Rezultati i inflacionit të vazhdueshëm, pra, mund të jetë thellimi i pabarazisë ekonomike, një problem që ekzistonte shumë përpara pandemisë.

    Një hap i rëndësishëm në kuadër të ndihmesës që mund t’i jepet individëve që ndikohen në shëndetin e tyre mendor gjatë kohës që njëkohësisht po ndiejnë një krizë financiare, është hartimi i politikave mbështetëse apo reformave në lidhje me shëndetin mendor.

    Kështu sugjeron psikologia Valentina Telhaj. Në një komunikim për “Monitor”, ajo shton se, duhet t’i kushtohet rëndësi koordinimit shëndetësor, e të hartohen plane kombëtare shëndetësore siç kanë bërë Franca, Italia, Letonia dhe Holanda.

    “Ne aktualisht kemi qendra komunitare të shëndetit mendor ku ofrohet mbështetja psikologjike nga profesionistë të trajnuar, ose referimi në shërbime shtesë, siç janë dhe shkollat për kujdesin ndaj fëmijëve nga stafi psiko-social, për të siguruar mirëqenien dhe për të referuar problematikat e konstatuara”, – thotë z. Telhaj.

    Ndërsa sipas psikologut Endrit Tafa, kur flasim për ekonomi në shëndetin mendor nuk është vetëm pjesa e parasë.

    “Është edhe një lloj zinxhiri që ne e quajmë ‘kaskada e mendimit’, që lidhet ngushtësisht me pjesën ekonomike” – thotë ai, duke nënkuptuar thellimin e problemeve nga shqetësimet ekonomike.

    Çmimet e shtëpive, qirave, energjisë dhe ushqimeve janë rritur pas dy vitesh pasigurie mes jetës gjatë një pandemie. Mjekët kanë vërejtur më shumë stres dhe tendosje mendore te pacientët.

    Arjana Rreli, mjeke psikiatër, thotë për “Monitor’ se stresi financiar i ndërthurur me të tjera pasiguri po mundojnë një pjesë të mirë të njerëzve, duke iu prishur balancat emocionale.

    “Është brenda pritshmërive, lidhja e brishtë mes rritjes së çmimeve dhe shëndetit të lëkundur emocional e psikologjik. Në njëfarë mënyre, pas pandemisë, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike.

    Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike, për shkak të humbjeve të vendeve të punës.

    Më pas, i shtohet një tjetër element stresues, ai i luftës në Ukrainë e cila drejtpërdrejt nuk na ndikon ne, për shkak të distancës fizike, mirëpo në mënyrë indirekte ka ndikuar në mirëqenien ekonomike të të gjithëve, duke qenë se në Europë është shënuar rritje çmimesh.

    Kjo e rrezikon mirëqenien ekonomike të popullatës, e cila edhe ashtu është në kufi të ekzistencës”, – thotë dr. Rreli.

    Ndikimet e ekonomisë

    Një pjesë e mirë e studiuesve të fushës pohojnë se, pabarazia ekonomike, ose një përçarje e madhe midis të pasurve dhe atyre që nuk kanë, është element negativ për shëndetin e një popullsie, duke përfshirë shëndetin mendor.

    Në një studim të botuar në revistën “World Psychiatry” në vitin 2018, hulumtuesit shqyrtuan 26 studime mbi pabarazinë e të ardhurave në mbarë botën dhe zbuluan se dy të tretat thanë se me rritjen e pabarazisë së të ardhurave, rritej edhe depresioni.

    Një rianalizë statistikore e 12 prej atyre studimeve tregoi se njerëzit në shoqëri shumë të pabarabarta kishin rreth 1.2 herë më shumë gjasa të përjetonin depresion krahasuar me njerëzit në shoqëri më të barabarta.

    Shoqëritë e pabarabarta gjithashtu kanë shkallë më të lartë të skizofrenisë, kanë gjetur studimet, ndoshta sepse pabarazia ul kohezionin social dhe rrit stresin kronik për njerëzit vulnerabël.

    Papunësia është gjithashtu jashtëzakonisht e dëmshme për shëndetin mendor të individëve. Barometri i stresit të jetës Holmes-Rahe, një mjet psikologjik që përdoret për të vlerësuar sa gjasa ka që dikush të përjetojë ndikime shëndetësore nga stresi, e rendit humbjen e një pune si ndryshimin e tetë më stresues të jetës që mund t’i ndodhë dikujt.

    Shumë studime kanë gjetur ndikime negative të të qenët i papunë, duke filluar nga simptomat e ankthit dhe depresionit deri te vetëvlerësimi i ulët dhe humbja e mirëqenies.

    Në një punim të vitit 2019 në “Journal of Vocational Behavior”, studiuesit përshkruajnë se si ata rianalizuan të dhënat nga më shumë se 300 studime mbi papunësinë dhe shëndetin mendor. Ata zbuluan se 34% e njerëzve të papunë përjetuan simptoma psikologjike, krahasuar me 15% të të punësuarve.

    Stresi i akumuluar

    Është e vështirë t’i themi dikujt që i është dyfishuar barra financiare të mos stresohet, apo të mos ketë ankth. Kështu shprehet dr. Arjana Rreli. Kohët e fundit, sipas saj, numri i pacientëve që shfaqin anën ekonomike si shqetësimin e tyre kryesor është shtuar. Dr. Rreli thotë gjithashtu se shqetësimi ekonomik vihet re kryesisht në familjet e reja, me fëmijë të vegjël.

    Inflacioni është rritur në të kaluarën dhe kjo nuk është përkthyer gjithmonë në tendosje të madhe financiare dhe mendore. Por, sipas saj, stresi ekonomik tani vjen në një kohë të pazakontë, pas pandemisë që ndikoi shumë më tepër seç pritej fizikisht dhe mendërisht.

    “Pagat shpesh rriten së bashku me inflacionin, duke lehtësuar një pjesë të stresit për konsumatorëve. Por kjo nuk ndodh shpesh në vendin tonë, sepse ka humbje vendesh pune. Por kostoja më e lartë e jetesës është vetëm një stresues mes shumë njerëzve që kanë përjetuar që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Kjo do të thotë se shumë njerëz janë në fund të litarëve të tyre”, – thotë doktoresha.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit