11.5 C
Tirana
E hënë, 21 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Krizë ushqimi në Shqipëri: Fast food-et rrezikojnë të mbyllen

    Ndërsa çmimet e vajit të lulediellit janë rritur dhe ka mungesë furnizimesh, vala e panikut nuk po ndihet vetëm në supermarkete ku kanë nisur shitjet me racion, por edhe ndër Fast Food-et e Tiranës të cilët po përpiqen të ruajnë sa më gjatë sasitë.

    Importuesit ka do ditë që pohojnë se janë në vështirësi për t’u furnizuar dhe se duke nisur që nga fundi i qershorit, mund të ketë mungesa në treg.

    Fakti që supermarketet po përpiqen të krijojnë stok dhe nuk i lejojnë konsumatorët të blejnë më shumë se 6 litra, i ka shqetësuar jo pak punonjësit e ushqimeve të shpejta.

    Ata pohojnë se kjo situatë vetëm sa i alarmon më keq dhe i nxit të mbajnë vaj të ndenjur edhe për më gjatë. Përdorimi i vajit të ullirit nuk është zgjidhje për ta ndërsa vajin e misrit nuk arrijnë ta përballojnë dot. Sipas tyre ai po tregtohet shumë shtrenjtë duke u rritur me 32% që nga muaji mars.

    Nga dy pika Fast Food-esh në Rrugën e Elbasanit, punonjësit thonë se çështja e mungesës së vajit ka shumë kohë që i shqetëson dhe se nëse mungesat do të nisin të rëndojnë më shumë, ata do detyrohen të ndërpresin punën.

    “Është ndryshe situata me konsumatorët që janë në shtëpi të cilët edhe mund të përdorin vajin e ullirit për gatim të përditshëm dhe është ndryshe situata nëpër Fast Food-e.

    Nuk mund t’i skuqësh patatet me vaj ulliri. Është një shije që konsumatorët përgjithësisht nuk e duan dhe nëse do të ketë mungesa gjatë verës ashtu siç pohojnë importuesit, atëherë dhe ne pasi të na mbarojnë këta rezerva që kemi, mund të detyrohemi të ndërpresim aktivitetin”, tha Zamira, pronarja e njërit prej tyre në po të njëjtën vendndodhje.

    Ajo shton se Fast Food-et janë më të prekurit nga kjo situatë pasi lënda e tyre e parë është pikërisht vaji i lulediellit i cili që pas pushtimit të Ukrainës është bërë produkti më i kërkuar në tregjet europiane.

    Të njëjtin shqetësim me të ndanin edhe nga “Gjiro Kamara” ku punonjësit pohuan se ata duhet të furnizohen vazhdimisht me vaj luledielli në mënyrë që të mbajnë në këmbë biznesin e tyre.

    Ata thonë se me vështirësitë që po hasen në gjetjen e importeve është e pamundur të garantohet stok për të gjithë, si për supermarketet ashtu edhe për distributorët e mëdhenj.

    Aredi Sado, importues dhe administrator i kompanisë “Olim” thotë se prej disa kohësh situata është e vështirë, ka mungesë vaji në treg dhe kompanitë janë në kërkim.

    “Para disa javësh pati një hapje nga Ukraina nga e cila morëm një sasi vaji të shpërndarë më tren sepse rrugët detare janë të bllokuara. Por pas bombardimeve në pjesën Lindore të Ukrainës dhe pasi stacionet e trenave u goditën, operatorët kanë ndërprerë furnizimet nga ky vend dhe tregu mbeti sërish i etur për vaj”, thotë Sado, duke shtuar se sasitë u morën me kosto shumë të lartë dhe furnizimet e siguruara nga Ukraina zgjasin në treg për 1 muaj.

    Ai shton se po shkojmë drejt një situate ku nga muaji i verës do të ketë një mungesë të madhe vaji në treg për shkak të mosfurnizimeve.

    Ndonëse në Bullgari dhe Serbi çmimi i vajit vijon të jetë i lartë në vlerat e 420 deri 430 lekëve për litër me TVSH, Sado thekson se në një situatë të tillë nuk përbën më shqetësim çmimi i vajit të lulediellit, por mungesa e gjetjes të produktit.

    Situata e rënduar e importeve të vajit të lulediellit në tregjet europiane nisi që pas fillimit të luftës në muajin mars, pasi 80% e konsumit botëror mbulohet nga Ukraina dhe Rusia. Por në këto shtete në muajin mars nuk u arrit të mbillej fara e lulediellit.

    Në fillim të marsit vaji i lulediellit u shit 340 lekë/litër nga 260 që ishte në muajin shkurt. Në raport me muajin shkurt çmimi për muajin maj 2022 është 46.5% më i shtrenjtë.

    Aktualisht çmimi i shitjes të vajit të lulediellit, të përcaktuar nga Bordi i Transparencës është 381 lekë/litër për konsumatorin dhe 346 lekë për shitjen nga konsumatori. Për importuesit marzhi i fitimit i përcaktuar nga bordi është 35 lekë për litër dhe për tregtarët e pakicës 6 lekë për litër.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit