30.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Kryebashkiakja e komanduar e Tiranës replikon me televizionin e familjes Berisha: Po më shantazhoni fëmijët. Kjo nuk është gazetari, por përndjekje

    Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka reaguar ashpër përmes një deklarate publike ndaj emisionit investigativ “Piranja” dhe drejtuesit të tij, Vojo Bregu, duke i akuzuar për ndjekje të vazhdueshme dhe përndjekje fizike ndaj saj dhe familjes.

    Ristani thekson se kjo nuk është më çështje transparence apo raportimi mediatik, por një formë e pastër shantazhi që ka përfshirë edhe fëmijët e saj të mitur. Ajo paralajmëron ndjekje ligjore të çështjes dhe e quan të papranueshëm manipulimin dhe dhunën psikologjike që fshihet pas emrit të gazetarisë.

    Reagimi i plotë:


    Prej më shumë se tre muajsh, unë dhe familja ime jemi vënë në shënjestër të një përndjekjeje të vazhdueshme dhe të paprecedentë nga emisioni investigativ “Piranja”, i drejtuar nga z. Vojo Bregu dhe transmetuar në Syri TV.

    Ky nuk është një reagim për mua si përfaqësuese publike, por si nënë, bashkëshorte dhe qytetare. Sepse kur dhuna mediatike kalon kufijtë e raportimit dhe shndërrohet në ndjekje fizike të fëmijëve të mitur, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gazetari, por me një formë të pastër shantazhi dhe terrori psikologjik.

    Kam zgjedhur të reagoj jo vetëm për të drejtat e fëmijëve të mi që nuk kanë zgjedhur të jenë pjesë e jetës publike, por edhe për të gjithë ata që si unë ndihen të pambrojtur përballë kësaj praktike të rrezikshme, që përdor kamerat për të dhunuar privatësinë dhe sigurinë familjare.

    Unë e di që ndoshta kësaj beteje nuk mund t’i dilet gjithmonë, por nesër, kur të mos jem më në këtë detyrë apo në asnjë funksion publik, do ta kem shpirtin në paqe që të paktën luftën time ndaj shantazhit, presionit dhe gjobëvënies e kam bërë me dinjitet dhe pa u tërhequr.

    Do të doja të shihja si do të reagonin z. Vojo Bregu, znj. Arlinda apo kushdo tjetër që ka kontribuar në këtë ndjekje, nëse dikush do të ndiqte fëmijët e tyre, do të publikonte oraret dhe destinacionet e tyre me detaje, apo do t’i trembte me makina gri pa logo dhe motorë të bardhë nga dy burra të panjohur.

    Mua më kanë ndjekur për tre muaj. Le të jenë dhe 300 muaj, nuk më bën përshtypje.

    Unë nuk kam frikë nga e vërteta, as nga raportimi profesional. Kam hapur gjithmonë dyert e zyrës për çdo media që ka kërkuar transparencë.

    Por të përndjekësh fëmijë, është e ulët edhe për gjobaxhinjtë më të pacipë.


    Për më tepër, pretendimi i fundit i emisionit “Piranja” se faqja e tyre në Instagram është sulmuar për shkak të një materiali që më përmend mua, është një tjetër fake news dhe shpifje. 

    Nuk kam asnjë problem me publikimin e çdo materiali të regjistruar, ndërkohë që të gjitha faktet, videot dhe provat i kam dorëzuar pranë autoriteteve kompetente dhe do ta ndjek këtë çështje deri në fund, me rrugë ligjore. Sepse përveçse nënë dhe bashkëshorte, jam dhe një qytetare që beson se liria dhe privatësia nuk janë të negociueshme.

    Të përndjekësh një fëmijë për të sulmuar një të rritur është një akt i ulët. Dhe i tillë mbetet, edhe kur vishet me petkun e “gazetarisë”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit