Në datën 1 gusht, në një “rrufe në qiell të hapur”, kryeministri Edi Rama denoncoi publikisht një gjyqtar në Tiranë, i cili kishte vendosur një masë sigurie në favor të pronarëve të një godine të konfiskuar. Madje, ai e etiketoi gjyqtarin Hazbi Balliu si të pacipë, pasi prona që ishte e destinuar për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës u bllokua me vendim gjykate.
Gjyqtari iu kundërpërgjigj, duke i kërkuar barrën e provës Ramës, se përse e etiketoi si të pacipë. Por, kryeministri e kishte “inatin” me vendime tepër të dyshimta të gjyqësorit, që kishin penguar konfiskimin e pasurisë, pavarësisht se në vitin 2022, KKT mori vendimin për t’a sekuestruar.

Në datën 19 tetor 2022, Këshilli Kombëtar i Territorit mori disa vendime për transferimin në favor të shtetit të disa kateve në disa pallate që kishin ndërtuar pa leje. Ndërkohë, në pikën 4 të atij vendimi, KKT-ja e kryesuar nga Edi Rama vendosi “për konfiskimin për interes publik të objektit ‘hotel 5 dhe 6 kat, me 2 kat nëntokë’, me vendndodhje në rrugën ‘Qamil Guranjaku’, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë ‘RT MAX’ sh.p.k” thuhet në atë dokument.
VoxNews ka mësuar se, pas këtij vendimi ka filluar një luftë mes pronarëve të ndërtesës dhe vetë shtetit. Pjesa më e madhe e kateve pa leje apo edhe godinave që u sekuestruan në atë kohë iu kaluan ndërtuesve, të cilët kishin të drejtën “e parablerjes”.
Por, këtë veprim nuk e përfituan pronarët e firmës “RT MAX”, pavarësisht se depozituan edhe një vlerë në Ministrinë e Financave. Në muajin qershor 2025, Agjencia e Pasurive të Konfiskuara vendosi që të ndryshojë destinacionin e godinës dhe t’a bënte zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Pas këtij vendimi, firma RT MAX u ankua në gjykatë ndaj vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe kërkoi një sigurim padie Çështjen e gjykoi gjyqtari Hazbi Balliu, i cili e pranoi deri se çështja të shqyrtohej në themel.

Në gjithë këtë “luftë”, madje edhe mediatike, kryeministri Edi Rama ka vijuar që të sfidojë këdo, madje edhe vetë gjyqtarin Hazbi Balliu. Në datën 23 korrik 2025, KKT-ja e drejtuar prej tij ka vendosur në të njëjtën ditë një leje zhvillimi dhe një leje ndërtimi.
Fillimisht u publikua leja e zhvillimit, e cila përcakton se bëhet fjalë për objektin e konfiskuar “Hotel 1 dhe 6 kate, me 2 kat nëntokë, në funksion të zyrave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës”, me zhvillues Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Në dokumente shoqëruese shkruhet se leja e zhvillimit vjen pas vendimit numër 6 të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. “Objekti i konfiskuar ndodhet në rrugën ‘Qamil Guranjaku’ Bashkia Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi mbi tokë prej 1562 m². Pozicionuar pranë Institutit të Higjienës. Kufizohet në anën veriore nga një objekt banimi me lartësi 1 kat, në jug me rrugën, në lindje nga një objekt banimi me lartësi 5 kat, në perëndim nga një objekt banimi me lartësi 1 kat” thuhet në këtë dokument.

Në të njëjtën ditë me vendimin për lejen e zhvillimit, KKT-ja publikoi edhe lejen e ndërtimit. Të njëjtët personazhe dhe ministra, të cilët dhanë lejen e ndërtimit pas ndryshimit të destinacionit të godinës, që tashmë do të përdoret nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, KKT-ja miratoi me kusht lejen e ndërtimit për objektin e konfiskuar.
“Pas miratimit të lejes përkatëse, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të lëshojë certifikatën përdorimit, në përputhje me këtë vendim dhe planvendosjen bashkëlidhur. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të kryejë regjistrimin e këtij vendimi, së bashku me Certifikatën e Përdorimi”, thuhet në këtë vendim.
“Sfida” e kryeministrit tashmë është e hapur. Pas sulmeve publike, ai ka vepruar edhe me dokumente. Nëse gjyqtari Balliu reagoi herën e parë, po tani që ka dalë leja e zhvillimit dhe ndërtimit, do të guxojë të marrë ndonjë vendim?! (Vox News)