Ish-drejtori i “Albpetrol” del në tre raporte të KLSH dhe në dosjen “Bankers” për falsifikime, tenderë dhe ankande abuzive; 8 vite pa pranga, ndërsa paratë qarkullojnë përmes një zinxhiri kompanish të tij dhe bashkëshortes
Sipas dosjes hetimore dhe tre raporteve të KLSH, Endri Puka ka kryer vjedhje përmes tenderëve, pagave fiktive, favorizimeve për “Bankers”-in dhe faturave false me kompani hidrokarburesh. Shuma e dëmit arrin në 140 milionë euro. Puka dhe bashkëpunëtorët kanë pastruar paratë me një rrjet shoqërish të krijuara pas vitit 2019. Arrestimi mungon, dosjet zvarriten.
Emri i Endri Pukës, ish-drejtor i “Albpetrol” (2013–2018), figuron në tre raporte të KLSH dhe në dosjen “Bankers” si autor i falsifikimeve dhe vjedhjeve përmes tenderëve, ankandeve dhe pagave fiktive. Dosja përshkruan favorizime financiare për “Bankers Petroleum”, shitje të paligjshme të naftës dhe shfrytëzim pusesh jashtë kontratës. Dëmi i llogaritur, sipas dokumenteve hetimore, shkon në 140 milionë euro. Pavarësisht provave, 8 vite pas shkarkimit, Puka nuk është arrestuar.
Hetimi liston bashkëpunëtorë nga ish-drejtues të “Bankers”: Richard Ferguson, Suneel Krishan Gupta, Abdel Fattah Zaki Badëi, Jonathan Paul Harris, Richard Parsons, David Lawrence French, Chang Zhong Xu, Linaghong He, Feng Qin, Luo Xianbing dhe të tjerë. Skema operon mbi dy shtylla:
1. moszbatimi i kontratës me “Bankers” dhe lehtësira të ndaluara,
2. fatura false shit-blerjesh e shërbimesh me tre shoqëri private të hidrokarbureve, për të fshirë gjurmët e parave.
Pas largimit nga “Albpetrol”, Puka ngriti dhe bleu aksione në një zinxhir kompanish ku figurojnë ai, bashkëshortja Ela Puka, ish-vartës dhe persona të besuar. Qëllimi, sipas dosjes: pastrimi i parave.

AKSENT L&BC (1 shkurt 2019) Puka 75%, Ened Janina dhe Ted Tase 25% së bashku. Qarkullim i raportuar 17 mln € jashtë sistemit bankar/tatimor.
Endri Puka – Person Fizik (7 shkurt 2019) – konsulenca/marketing; qarkullim 5 mln €.
Monad Partners (27 shtator 2020) projekte/ndërtime; 50% Ela Puka.
Yellow Rocket (3 nëntor 2021) marketing/rrjete sociale; aksione: Puka 33.34%, Ela Puka 33.33%, Ened Janina 33.33%; qarkullim 9 mln €.
Parisol sh.p.k. (29 dhjetor 2021) fotovoltaikë; Puka 20% me investim 5.5 mln €.
APSUS sh.p.k., ortakëri me Alban Pezën (ish-sekser i Pukës në “Albpetrol”); paraqitet blerja e 30% te “ANIO OIL & GAS” nga Ela Puka.
OKSI-INTERNATIONAL (1 prill 2025) 32% në emër të Ela Pukës, blerë nga greku Konstantinos Moula (sekser hidrokarburesh në kohën e Pukës); objekt shërbime për “Bankers” dhe kompani nafte/gazi.
ROKiT Cities Albania (5 prill 2022), Puka me Ened Janinën dhe Ted Tasen; qarkullim 4 mln € jashtë sistemit bankar/tatimor.
INTERCHANGE ANTEL (që prej maj 2007), Puka 68.2% me Koço Kokëdhimën; qarkullim 13 mln € gjatë 2013–2018.
Skema e pastrimit ndjek të njëjtën gjurmë: krijim shoqërish “konsulence” ose “teknologjie”, lëvizje pagesash ndërmjet entiteteve të lidhura, raportime me “humbje” dhe përdorim të llogarive të palëve të treta. Ish-vartës si Ened Janina dhe Ted Tase shfaqen si ortakë në disa prej shoqërive kyçe.
Pyetja që mbetet pa përgjigje: pse mungon masa e arrestit dhe sekuestrimi i menjëhershëm i pasurive, kur dosja numëron prova dokumentare, lëvizje bankare dhe kontrata që lidhin periudhën 2013–2018 me qarkullimet pas vitit 2019. Për të rikuperuar dëmin, duhen tri veprime të menjëhershme:
1. Sekuestrim pasuror i zgjeruar mbi Pukën, bashkëshorten dhe ortakët e listuar; ngrirje llogarish dhe ndalim disponimi mbi pasuri të paluajtshme e kuota shoqërish.
2. Audit forenzik pus-më-pus dhe tender-më-tender te “Albpetrol” dhe flukset me “Bankers”, për të llogaritur dëmin real dhe detyrimet tatimore të pashlyera.
3. Procedim penal i plotë për grup të strukturuar, me urdhra ndërkombëtarë ndaj ish-drejtuesve të “Bankers” që rezultojnë të përfshirë në skemë.
Sa kohë që këto veprime mungojnë, 140 milionë euro mbeten shifër në letër, ndërsa rrjeti financiar vazhdon të qarkullojë nëpër “startup-e” konsulence dhe “investime” energjetike./Pamfleti



