Fatmir Metaj, drejtues i një drejtorie në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, është dhunuar barbarisht nga kolegu i tij Klesti Çela dhe tre persona të tjerë. Shkak është bërë një masë bllokimi që Fatmir Metaj kishte vendosur ndaj një kompanie që derdhte dhera në rrethinat e Tiranës.
Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se Klesti Çela është drejtor i Mjedisit në IKMT dhe ka shkuar në zyrën e Fatmir Metës bashkë me tre persona të tjerë, dhe pas një debati të shkurtër verbal, e kanë qëlluar këtë të fundit me grushte, shkelma e qyta pistolete.
Ngjarja është në përmasat e skandalit sepse bëhet fjalë për një nga Inspektoriatet më të rëndësishme të shtetit dhe drejtorët rrihen brenda institucionit, mes tyre, me qyta pistoletash.
Nga burime paraprake theksohet se drejtori Fatmir Meta ka zbatuar një urdhër të kryeinspektorit të sapoemëruar, Afrim Qëndro, duke bllokuar mjetet e një kompanie private sipas parashikimeve ligjore, sepse po shkarkonin dhera e interte në periferi të kryeqytetit duke ndotur mjedisin.
Mirëpo, me këtë vendim nuk ka rënë dakord drejtori tjetër Klesti Çela, i cili ka mësyrë në zyrën e Fatmir Metës bashkë me tre persona të tjerë dhe e kanë dhunuar. Gjatë sherrit, raportohet se janë nxjerr dhe armët e zjarrit, me qytat e të cilave është qëlluar në kokë e trup Fatmir Metaj.
Siç bëhet me dije, drejtori i Mjedisit në IKMT, kunati i Ergys Agasit, menjëherë pas sherrit të dhunshëm ku është përfshirë ka shkuar në zyrën e kryeinspektorit Afrim Qëndro dhe ka dhënë dorëheqjen.
Pritet që për rastin e Klesti Çelës dhe Fatmir Metës të reagojë edhe Policia e Shtetit.
Dy drejtorët pezullohen
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula ka vendosur pezullimin nga detyra të dy drejtorëve të Inspektoratit Kombëtarë të Mbrojtjes së Territorit, Klesti Çela dhe Fatmir Meta.
Raportohet se drejtori i Mjedisit në IKMT ka dhunuar drejtorin e zbatimit të vendimeve, Fatmir Meta.
Ngjarja ka ndodhur në zyrën e Fatmir Metës, ku Klesti Çela dhe tre persona të tjerë e kanë dhunuar këtë të fundit me qyta pistolete.
Për Dashnor Sulën ngjarje të tilla nuk do kalojnë papërgjegjësi.
“Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi”, thekson njoftimi i Inspektorit të Përgjithshëm.
Me tej shtohet se: “Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional. Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie. Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut”.
Deklarata e plotë
Asnjë incident nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Pas ngjarjes së ndodhur, Inspektorati i Përgjithshëm ka marrë menjëherë masat administrative dhe ligjore ndaj personave të përfshirë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur verifikimin e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes. Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional. Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie.
Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut.
Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të informojë publikun dhe mediat mbi ecurinë e procedurave.



