4.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kuq e zi je ti, Martin

    Nga Edona Llukaçaj

    Ky Nëntor u ngjye pas si tepër kuq e zi. Nuk po i referohem ditës së shtuar të festës, flamujve të shumtë ngado, nismës së shumë shkollave për nxënës veshur me bluzat tipike me shqiponjë ose, të paktën, veshje me ngjyrat kombëtare.

    Këto janë gjerësisht të mirëpritura, nën sloganet e tipit “kuq e zi je ti”.

    Ishin ngjarjet e shëmtuara që pasuan njëra-tjetrën; ato që skuqën trotuarët dhe zia e mortit që i shoqëron. Janë ato nuancat e “kuq e zisë” që s’po mund t’i përballojmë më. E simboli i kësaj “kuq e zie” makabre, këtë Nëntor, je ti Martin.

    Sigurisht nuk ishte ky qëllimi yt. Teksa arsimoheshe në një ndër 9-vjeçaret më në zë në kryeqytet, do të kesh mësuar plot gjëra. Por si duket të ka shpëtuar informacioni se, në këtë vend, jeta e njeriut ështe fort e lirë. Vriten gratë se duan të divorcohen. Vriten të rinjtë për një të gërvishtur në makinë. Të tjerë vriten se iu qëlloi të ishin kushërinj me njerëzit e gabuar. Vriten për një shikim vëngër e ofendime imagjinare. Vriten njerëzit si miza.

    Vrasësit pak e aspak ndëshkohen, duke krijuar legjenda urbane të pamposhturish që moshatarët tuaj, Martin, i kanë fort përzemër. Dhe ti bir u bëre pré e lavdisë që i kemi veshur së keqes.

    Kuq e zi, sot, je ti, Martin. Sado i mirë të kesh qenë me mësime, nuk do të ta kenë mësuar se, prej dekadash, në Shqipëri, e kemi politikë shtetërore të mos mbajmë përgjegjësi ose të hiqemi se gabimet tona i kemi paguar me ç’kemi vuajtur në vetë të parë. Madje, shumë kohë para se ti të lindje, një burrështeti fort i pëlqyer asokohe pati deklaruar se shqiptarët ishin “bashkëpërgjegjës e bashkëviktima” të një të shkuare jo shumë të ndritur.

    E vërteta është, Martin, se ti dhe moshatarët tuaj që u “sqaruat” tragjikisht qoshesh të errta jeni veçse viktima.

    Ti vetë je viktima kumbuese e asaj që iu bë sistemit të arsimit, jo veç me tekste e sisteme të riformuara pa vizion nga ekspertë të paqenë. Je viktima e mësuesëve jo rrallë të paaftë e të papërgatitur. Je viktima e drejtuesëve me shumë certifikime e pak dije, që përgjegjësit e vërtetë të humbjes tënde përfshinë në arsim, minimalisht për arsye politike, paçka se janë analfabetë funksional.

    Ti je vërtet kuq e zi, Martin. Ty, me siguri nuk ta kanë thënë as në shkollë e as në shtëpi se ne, si komb, na ka kapluar një apati kolektive. Na ka kapur frika të bëjmë gjënë e duhur dhe të luftojmë për të drejtën, se “të zë belaja”. Dhe ti, bir, je viktima e pafajshme e kësaj gjendje ulëritëse. Je viktimë e moskokëçarjes të secilit prej nesh të gjendur aty kur disa adoleshentë po zihen; se mbajnë me vete thika që nga dalldia mund t’ia ngulin në zemër shokut; se një 14-vjeçar mund të dergjet në trotuar pa u ndihmuar.

    Kuq e zia që na identifikon më së miri, në bjerrjen tonë të vlerave, je ti, Martin. Nuk ditëm t’i mësojmë brezit tënd se burrëria nuk ka të bëjë me therje skutash e dhunë. Nuk ditëm, bir, t’ju tregojmë se jeta është e çmuar dhe vdekja peshon. Prandaj farsa me përkushtim ndaj mësimit ditën e varrimit tënd nuk është vetëm turpi i stafit pedagogjik të shkollës tënde, por i të gjithëve ne.

    Nuk arritëm t’ju mësonim të flisni e komunikoni për të zgjidhur konfliktet, kur heshtja kokëfortë ishte gjithë ç’doli nga goja e ministreve dhe deputeteve nëna përballë tragjedisë tënde.

    Kuq e zi je ti, Martin. Nuancat e dhimbshme që morën ngjyrat tona kombëtare në ikjen tënde janë dëshmi e asaj që lejuam të ndodhte me vendin tonë.

    Në Shqipërinë e bashkëfajtorëve bashkëvuajtës, kuq e zi je ti, Martin.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit