11.5 C
Tirana
E premte, 30 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Kur “e majta” flet si treg i lirë

    Çfarë është debati i kryeministrit Edi Rama me fermerin në Divjakë? Kush e mendon thjesht si një episod komunikimi të ashpër është gabim.

    Ky është një moment zbulese. I radhës. Jo për fermerin. Ata i dimë që janë lënë thjesht të mbijetojnë me thërrime ose të largohen. Identifikon mënyrën se si pushteti e kupton sot veten.

    Vecanërisht identifikon largësinë e tij reale nga parimet e së majtës që pretendon të përfaqësojë.

    Një fermer i vogël kërkon mbrojtje nga konkurrenca e mallrave të importuara. Përgjigjja që merr është se “nuk mbyllen kufijtë” dhe se kjo është “absurde” (!) Këtu kemi një keqkuptim themelor të rolit të së majtës në një ekonomi sociale.

    Asnjë e majtë serioze në Europë nuk e ka ndërtuar veten mbi idenë e tregut të lirë absolut, të pambrojtur dhe indiferent ndaj pabarazive strukturore. E majta historikisht nuk ka qenë kundër tregtisë, por ka qenë gjithmonë për mbrojtjen e prodhuesit të dobët përballë forcave të forta të tregut.

    Fermeri i Divjakës nuk kërkon izolim autarkik. Kryeministri kinse e ekzagjeron si të tillë që të dalë tek  batutat e veta me të cilat hipnotizon të paditurit.

    Fermeri po kërkon diçka shumë më bazike. Kërkon një shtet që të mos e lërë vetëm përballë dumpingut dhe importeve. Ankohet si shqiptari –  kryeministrit shqiptar për një treg ku fuqia nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë.

    T’i përgjigjesh kësaj ankese me logjikën e “konkurrencës së lirë” është një gjuhë çfarë të dojë kryeministri le ta quajë, por  e majtë nuk është!

    Ajo që bën Rama, edhe sikur edhe ta zhveshësh nga cdo gjë tjetër, është të sillesh si arbitër i ftohtë i tregut. Absolutisht, e papranueshme. Nëse një parti që i thotë vetes e majtë nuk është mbrojtëse e atyre që janë më të pambrojtur, kjo parti nuk ka fare busullë ideologjike. Quhet më kot socialiste.

    Ky “argument” që nuk është argument po përdoret për të justifikuar braktisjen e fermerëve, punëtorëve, prodhuesve të vegjël. Flitet në emër të “hapjes” dhe “integrimit”.  Integrim pa mbrojtje sociale?! Po ky nuk është integrim. Nuk ka si të jetë, sepse nuk është progres. Është pabarazi e ngritur në nivelin e papranueshëm të mbrojtjes nga institucionet.

    As zhvendosja e debatit drejt fondeve dhe subvencioneve nuk e zgjidh thelbin. Një politikë e majtë nuk matet vetëm me shifra në buxhet, por me aftësinë reale të shtresave të dobëta për të mbijetuar në treg. Fakti është fakt, nuk ka të bëjë me aftësinë për batuta. Cili është fakti? Fermerët e vegjël sot nuk arrijnë të përfitojnë nga fondet. Përballen me burokraci, klientelizëm, pabarazi aksesesh, etj, etj.

    Problemi i tyre sot nuk është mungesa e konkurrencës por mungesa e shtetit social.

    Është pastaj edhe toni i përdorur ndaj fermerit. E majta nuk flet nga lart-poshtë. Nuk disiplinon zërat e pakënaqur, por i dëgjon. Nuk i lexon ankesat sociale si “politikë”, sic i lexon kryeministri.

    Në cdo rast, ky debat nuk ka të bëjë vetëm me një fermer apo një përgjigje të Edi Ramës. Pyetja është më e rëndësishme. A ka Shqipëria  qeveri të majtë që mbron realisht prodhimin vendas, punën dhe dinjitetin ekonomik të njerëzve të zakonshëm?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit