Ish-gjykatës e tashmë deputeti i ri i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka bërë akuza të forta ndaj kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke e akuzuar për mungesë transparence në deklarimin e pasurisë dhe për fshehjen e aktivitetit të tij profesional para viteve ’90.
Në një intervistë për mediat, Gjoni tha:
“Po t’i referohesh CV-së së Sokol Sadushit në Gjykatën e Lartë, ose atij shallit të pionierit, që për mua janë simbole të komunizmit, një gjyqtar i tillë nuk mund të ishte kryetar i Gjykatës së Lartë. Në CV ai shkruan se ka qenë ish-prokuror, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, lektor, avokat, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, por e fillon nga viti 1991 dhe nuk jep periudhën para ’90-s. Të tregojë ku ka punuar prokuror. Ish-prokurorët dhe hetuesit e para viteve ’90 nuk duhej të ishin sot në sistem.”
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës mbi pasurinë e Sadushit:
“Pasuria e tij nuk është bërë kurrë publike dhe nuk i jepet as medias, as gazetarëve dhe askujt tjetër. Këshilli i Lartë Gjyqësor as nuk merr mundimin ta thërrasë për sqarime.”
Ironikisht, vetë Gjoni ka pasur më parë probleme me ligjin. Në vitin 2014, ILDKPI e kallëzoi penalisht për deklarim të rremë, falsifikim dokumentesh dhe fshehje të pasurisë, duke pretenduar se ai kishte fshehur mbi 2 milionë euro, përfshirë një vilë 700 mijë euro në Farkë me burim të dyshimtë. Procedimi u regjistrua në Prokurorinë e Elbasanit si nr. 1098 për veprat “falsifikim i dokumenteve” dhe “fshehje e pasurisë”.
Megjithatë, Gjoni ka rikuperuar statusin e tij publik si deputet dhe, në deklaratat e fundit, shfaqet si një nga kritikët më të ashpër të drejtësisë, duke sfiduar drejtorët e institucioneve të larta gjyqësore dhe duke nxjerrë në pah mungesën e transparencës brenda sistemit.