Samir Mane iku nga regjimi komunist i Shqipërisë në fillim të viteve ’90 dhe u vendos në Austri, ku bëri pasurinë e tij të parë. Tani i rikthyer në Shqipëri, ai drejton një perandori të pasurive të paluajtshme dhe shitjes me pakicë që shtrihet nëpër Ballkanin Perëndimor dhe përtej.
Në një ditë me diell të tetorit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, Samir Mane buzëqesh ndërsa ecën nëpër qendrën tregtare Tirana East Gate, një hapësirë prej 112 mijë metrash katrorë që është një “tempull” i kapitalizmit me marka ndërkombëtare që variojnë nga Adidas dhe Sëarovski deri te Burger King dhe KFC. Qendra më e madhe tregtare në Shqipëri është e padallueshme nga komplekset moderne prej xhami dhe çeliku në çdo qytet të madh europian dhe pikërisht kjo është ideja.
“Kjo është pasuria jonë kryesore. Është 100% e dhënë me qira,” thotë me krenari, duke numëruar një listë qiramarrësish, përfshirë shitës veshjesh si H&M dhe Zara, si dhe restorantin e parë të sushit në Shqipëri dhe disa prej bizneseve të tij, përfshirë një dyqan veshjesh, një dyqan lodrash dhe një zinxhir të pajisjeve elektronike.
“Njerëzit duan të prekin produktet. Ne kemi çdo biznes të prekshëm që ekziston në Shqipëri.” I veshur me një xhaketë blu të errët mbi një bluzë polo të zezë Lacoste, Mane mund të ngatërrohej lehtësisht me një nga blerësit që shëtisin të hënën paradite.
Por 57-vjeçari është miliarderi i parë dhe i vetëm i Shqipërisë, njeriu më i pasur në këtë vend të vogël mesdhetar me vetëm 2.8 milionë banorë. Falë investimeve në shitjen me pakicë, pasuri të paluajtshme dhe bankë, ai ka ndërtuar një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të Forbes, që i siguron një vend në listën e miliarderëve botërorë të Forbes 2025. Nuk është diçka që ai e kishte menduar ndonjëherë si një 23-vjeçar që ikte nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1991.
“Nuk e kam menduar kurrë si të mundur. Ëndrra ime ishte të kisha një shtëpi timen ose një makinë,” thotë ai.
Sot, konglomerati i tij BALFIN Group operon në 10 vende dhe shënoi një fitim neto prej 120 milionë dollarësh nga 880 milionë dollarë të ardhura në vitin 2024, me rritje përkatësisht 31% dhe 14% krahasuar me vitin 2023. Rreth 62% e të ardhurave vijnë nga shitja me pakicë, ndjekur nga pasuritë e paluajtshme me 20%, sektori bankar me 9% dhe pjesa tjetër nga logjistika dhe menaxhimi i aseteve.
Mane është pronari i vetëm i grupit, por ka përfshirë partnerë në qendrat tregtare, zinxhirët e shitjes dhe projektet e zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Vula e tij është e dukshme në të gjithë Tiranën, ku jeton që kur u rikthye në Shqipëri në vitin 2005. Ai zotëron Tirana Bank, bankën e pestë më të madhe në vend; zinxhiri i elektronikës Neptun është më i madhi në Shqipëri; dhe zotëronte edhe zinxhirin më të madh të supermarketeve deri sa e shiti për 48 milionë dollarë në mars. Duke udhëtuar nëpër qytet me Mercedes-Maybach SUV të tij të zi, ai i tregon shoferit lagjen Rolling Hills, një kompleks rezidencial luksoz që e ndërtoi vetë dhe ku zotëron një vilë prej 3,000 metrash katrorë.
“E bleva tokën në vitin 2008, ishte shumë e lirë në atë kohë,” thotë ai, duke parë drejt 153 vilave me stil neoklasik me pamje nga malet e Skënderbeut përreth. Vlera e tokës në atë zonë është rritur më shumë se dhjetëfish që prej asaj kohe, dhe Mane ka vazhduar të ndërtojë. Pranë ndodhet një tjetër projekt i grupit Balfin, Collina Verde, dhe një tjetër kompleks i madh është në ndërtim buzë një liqeni artificial, me kosto të pritshme prej 240 milionë dollarësh dhe përfundim në vitin 2028.
“Askush, as babai im, nuk besonte se do të funksiononte”. Pasuria e Samir Manes nuk ndalet në kufijtë e Shqipërisë. Ai zotëron dyqane në të gjithë Bosnjë-Hercegovinën, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë Skopje East Gate, qendra më e madhe tregtare në Maqedoninë e Veriut. Përtej Ballkanit Perëndimor, ai ka filluar të investojë edhe në ndërtesa banimi dhe zyra në Austri dhe Kanada, si dhe në Nju Jork dhe Nju Xhersi.
Duke shpjeguar qasjen e tij, ai përmend mësimet që ka nxjerrë nga librat e figurave të njohura të biznesit amerikan, si ish-CEO i General Electric, Jack Ëelch: “Welch ka thënë se duhet të jesh i diversifikuar. Shqipëria është e vogël, ndaj menduam: pse të mos hyjmë edhe në vende të tjera dhe industri të tjera?” Samir Mane ka lindur në vitin 1967 në qytetin jugor të Shqipërisë, Korçë, gjatë regjimit të Enver Hoxhës, diktatorit komunist që drejtoi vendin për dekada. Udhëtimet brenda vendit ishin të kufizuara rreptësisht, dhe Mane rrallë dilte jashtë qytetit të tij të lindjes deri sa shkoi në universitet në Tiranë në moshën 18-vjeçare, ku studioi gjeologji. “Nuk e zgjodha unë gjeologjinë. Partia Komuniste vendoste se çfarë do të studioje,” kujton ai. Gjatë viteve të universitetit, Mane blinte mish për të përgatitur qofte dhe i shiste për studentët për të fituar disa para shtesë, derisa pas gjashtë muajsh autoritetet e ndaluan.
Në vitin 1991, ende student, ai vendosi të arratisej nga vendi për një jetë më të mirë. Mori një vizë austriake përmes një agjencie udhëtimi dhe bëri një udhëtim me autobus për 36 orë pa ndalesë drejt Vjenës, ku u regjistrua si refugjat. (Më vonë mësoi se viza që kishte marrë ishte false, por askush nuk e ndaloi.) Kaloi më shumë se gjashtë muaj në një kamp refugjatësh, duke mësuar gjermanisht në mënyrë autodidakte, deri sa u bë mjaftueshëm i aftë për të aplikuar në Universitetin Teknik të Vjenës për të vazhduar studimet në gjeologji. Në vitin 1992, regjimi komunist në Shqipëri ra.
“Shqipëria u hap disi dhe njerëzit po vinin në Vjenë për të blerë elektronikë. Kështu që pashë një mundësi,” thotë ai. Ai braktisi universitetin në vitin 1993 dhe filloi të përkthente për disa eksportues, para se të hynte vetë në biznes. Po atë vit, themeloi kompaninë Alba-Trade, e cila blinte videorekordera, radio, televizorë dhe pajisje shtëpiake në Austri dhe i dërgonte në Shqipëri. Vetë i ngarkonte kamionët dhe bënte rrugën dy-ditore nga Vjena në Tiranë, duke fjetur në kamion për të kursyer para dhe për të mbrojtur mallrat. Kur mbërrinte, parkonte në një vend në Tiranë dhe klientët thjesht shfaqeshin.
“I shitëm të gjitha brenda tre orëve,” thotë ai. “Por në Austri, kuptova që mund të shesësh produktet në mënyrë të rregullt, në dyqane.” Për të kuptuar më mirë biznesin, Mane lexoi libra jo vetëm nga Jack Ëelch, por edhe nga themeluesi i Ëalmart, Sam Ëalton. “Njëri më mësoi si të drejtoj biznesin me pakicë, tjetri më mësoi si të drejtoj një korporatë,” thotë ai.
Në vitin 1996, ai hapi dyqanin e parë Neptun për shitjen e televizorëve dhe pajisjeve shtëpiake në Tiranë. Dy vite më vonë u zgjerua në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke u bërë një nga të parët që hyri në këto tregje pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90. “Është një vizionar që ka ditur të sjellë konceptin e duhur në momentin e duhur. Ai identifikoi nevojën për pajisje shtëpiake në Ballkanin Perëndimor kur ne nuk kishim as lavatriçe,” thotë Edlira Muka, CEO e BALFIN.
Suksesi i Manes reflektoi edhe boom-in ekonomik të këtyre vendeve ndërsa kalonin drejt kapitalizmit: “Ai përfaqëson një nga konglomeratet më të mëdha në Shqipëri dhe është një tregues i rritjes ekonomike dhe ndryshimit që ka përjetuar vendi,” shton Martin Mata, bashkë-CEO i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AAEF), një fond investimesh jofitimprurës i krijuar në vitin 1995 për të ndihmuar tranzicionin e Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut. Në fillim të viteve 2000, Mane kishte ndërtuar një perandori të elektronikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor, me 19 dyqane dhe 50 milionë dollarë të ardhura, duke siguruar shumicën e produkteve nga Azia.
Por duke parë suksesin e markave perëndimore dhe qendrave tregtare në Evropën Lindore post-komuniste, ai mendoi se mund ta realizonte të njëjtën gjë në Shqipëri. Në vitin 2005, ai u shpërngul me familjen nga Vjena në Tiranë për të hapur qendrën e parë tregtare në periferi të kryeqytetit. Për ta përforcuar qendrën tregtare, i duhej një supermarket. Kështu që Mane udhëtoi nëpër Evropë për të takuar drejtuesit e zinxhirëve të supermarketeve dhe për t’i bindur të hapnin dyqane në Shqipëri. “Ata më thanë: ‘Zoti Mane, ne i shohim shifrat e PBB-së. Askush nuk po vjen,’” kujton ai.
(PBB-ja e Shqipërisë në atë kohë ishte vetëm 8 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 24 miliardë sot.) “Kështu që vendosa të hap një zinxhir supermarketesh vetë. Punësova një francez nga Carrefour dhe ndërtova supermarketin e parë modern në Shqipëri.” Ishte një hap i guximshëm. Në atë kohë, më shumë se 30% e ekonomisë shqiptare ishte informale, me sektorë të paregjistruar që nuk paguanin taksa. Mane duhej të bindte mijëra konsumatorë të kalonin te kapitalizmi në stilin perëndimor dhe të shpenzonin në një qendër tregtare në vend që të blinin në tregjet e lagjes. “Askush, madje as babai im, nuk besonte se do të funksiononte,” thotë Mane. “Thoshin: ‘Pse duhet dikush të udhëtojë dy orë për të blerë domate?’” Fillimisht, Mane pati vështirësi për të gjetur investitorë, dhe edhe fondet që më vonë e mbështetën, në atë kohë ishin skeptikë. “Nuk ishim të bindur,” thotë Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Më në fund, Mane arriti të bindte Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një bankë zhvillimi me qendër në Paris, të investonte 15 milionë dollarë në formën e huasë dhe kapitalit për zinxhirin e tij të supermarketeve.
Në tetor të vitit 2005, ai hapi Qendrën Tregtare Univers në Tiranë, me një dyqan elektronikësh Neptun dhe pikën e parë të rrjetit të supermarketeve Euromax. Ditën e hapjes, rrugët ishin plot me makina dhe vetë Mane doli të drejtonte trafikun në parkimin e vogël. “Për të gjithë skeptikët, kishim mijëra njerëz që prisnin në autostradë,” shton Steven Grunerud, shefi financiar i BALFIN-it nga Kanadaja, të cilin Mane e punësoi në vitin 2007 nga banka austriake Raiffeisen për të profesionalizuar biznesin e tij.
Kur Mane vendosi më pas të hapte Tirana East Gate, një qendër edhe më e madhe tregtare, ai kishte dëshmuar që koncepti funksiononte dhe kishte fituar më shumë investitorë. “Ai nuk pretendoi se dinte si menaxhohej një qendër tregtare, por mori ekspertizë, ndoqi modelin dhe dëgjoi njerëz që dinin ta bënin,” thotë Mata nga AADF, i cili vlerëson se fondi trefishoi investimin kur shiti pjesën e vet të aksioneve në qendër mbrapsht tek Mane në mars.
Mane ndërtoi mbi suksesin e tij duke marrë një rol gjithnjë e më të madh në ekonominë shqiptare. Shumë nga investimet e tij kanë rezultuar të suksesshme: Ai bleu Tirana Bank në vitin 2019 dhe 2020 nga banka greke në vështirësi, Piraeus Bank, për 64 milionë dollarë dhe sot kjo bankë, me 1.7 miliardë dollarë në asete, vlerësohet rreth 155 milionë dollarë. Disa ndërmarrje të tjera nuk kanë rezultuar po aq të suksesshme. Mane bleu rrjetin televiziv të lajmeve financiare Scan TV në Tiranë në vitin 2022, por e shiti një vit më vonë me një humbje prej rreth 2.2 milionë dollarësh. Pasuria e tij ka sjellë gjithashtu më shumë vëmendje. Në tetor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arrestoi ish-Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta me akuza për korrupsion.
Mane, i cili nuk është akuzuar për asnjë krim, raportohet se përmendet në dokumentet hetimore si personi që u ka ofruar Metës dhe bashkëshortes së tij të atëhershme, Monika Kryemadhi, deputete, një vilë në kompleksin “Rolling Hills”, me vlerë pak më pak se 1 milion dollarë (Meta ka ankimuar arrestimin dhe Kryemadhi ka mohuar akuzat). “Nëse je një biznesmen i rëndësishëm në Shqipëri, ke një lidhje të fortë me politikën. Nuk është për t’u habitur që Mane kishte një lidhje me Metën,” thotë Afrim Krasniqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tiranës. Mane i mohon kategorikisht akuzat, duke i quajtur “të pabazuara dhe të hedhura poshtë nga autoritetet shqiptare” dhe thotë se nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie të afërt personale me Metën.
“Nuk kam qenë asnjëherë në jetën time objekt hetimi, akuze apo ndjekjeje penale, as për këtë çështje, as për ndonjë tjetër,” shton ai. Në ekonominë e ashpër dhe të egër shqiptare, Mane krenarizohet që nuk është futur në arenën politike dhe nuk ka përfituar nga privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore në vitet ’90. “Nuk kam qenë kurrë në politikë dhe nuk kam ndërmend të jem,” thotë ai. “Nuk kam marrë pjesë në asnjë proces privatizimi. Në vendet ish-komuniste, nëse je i pasur, njerëzit të konsiderojnë oligark. Por unë e ndërtova pasurinë time në Austri dhe u ktheva.”
Mane tani po synon zgjerim edhe më të madh në Evropën Lindore. Ai po planifikon të hapë një francizë të re të rrjetit grek të lodrave Jumbo në Moldavi. Gjithashtu po shton marka të tjera në perandorinë e tij, pasi ka nënshkruar marrëveshje me rrjetin danez Flying Tiger Copenhagen, me plan për të hapur 50 dyqane në katër vitet e ardhshme. Por ai vazhdon të shohë potencial edhe në vendin e tij, me turizmin ndërkombëtar si një faktor transformues për ekonominë shqiptare. Ai zotëron Green Coast, një projekt luksoz në Detin Adriatik që pritet të përfshijë hotele të markave ndërkombëtare si Açor, Grand Meliá dhe Hyatt, si dhe 2,600 vila dhe apartamente. Faza e parë e projektit, që pritet të kushtojë gjithsej rreth 900 milionë dollarë për t’u ndërtuar, u hap në vitin 2022 dhe Mane ka përfituar tashmë afro 150 milionë dollarë nga shitja e pronave.
“Është një projekt fantastik. Do të kemi shumë sukses,” thotë Mane. Por nuk është i vetmi që po i vë sytë bregdetit të virgjër të Shqipërisë në Mesdhe, që rivalizon atë të Kroacisë fqinje, por pa turmat e mëdha. Miliarderi i pasurive të paluajtshme në Dubai, Mohamed Alabbar, po zhvillon një resort luksoz dhe marinë për superjahta me vlerë 2.5 miliardë dollarë në veri, ndërsa dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, dhe firma e tij Affinity Partners po planifikojnë një zhvillim luksoz prej 1.5 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit në jug.
Për Manen, sa më shumë investime në Shqipëri, aq më mirë. “Më pëlqejnë projektet, shpresoj që t’i realizojnë. Do të jetë diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë,” shton ai. Më shumë vizitorë nga jashtë do të thotë më shumë klientë për dyqanet e tij me pakicë dhe më shumë blerës të mundshëm për vilat. “Pakicë, pasuri të paluajtshme dhe turizëm. Ky është e ardhmja jonë.”